Për të zbutur situatën e krijuar në Kosovë pas rritjes së çmimeve të produkteve elementare, Qeveria e Kosovës duhet të jetë më aktive, të krijojë strategji me shtetet mike si dhe të ndaj mjete për pako ekonomike, thonë njohësit e ekonomisë në Kosovë, shkruan Gazeta Blic.
Ngritjen e çmimeve të produkteve bazë në Kosovë po e sheh si pasojë të pandemisë dhe luftës Rusi-Ukrainë, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu .
Gërxhaliu në një prononcim për ‘Gazeta Blic’, vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më aktive, të vizitojë vendet mike dhe bashkarisht të hartojnë një strategji për ta tejkaluar këtë krizë.
“Në rend të parë qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë që jemi me një situatë të jashtëzakonshme në rend të dyt kriza e ka bërë të veten, jo vetëm pandemia, por edhe situata Ukrainë-Rusi. Kosova ka qenë e papërgatitur ekonomikisht për tu ballafaquar me këto sfida dhe në këtë drejtim duhet të kuptohet që është periudhë sfiduese. Unë kam pritur që qeveria e Kosovës do të jetë shumë më aktive, pra të vizitohen shtetet mike që bashkarisht të hartojnë një strategji, se si të përballohet kjo goditje ekonomike”, deklaron ai.
Derisa flet për ngritjen e çmimeve bazë, ai thotë se në këtë periudhë ka pritur që ministri i bujqësisë të paraqitet në konferencë për medie dhe të paraqes një apel te të gjithë pronarët e tokave në Kosovë.
“Këto ditë kam pritur që të ketë një konferencë për medie nga ministri i bujqësisë, i cili do të apelonte te të gjithë pronarët e tokave në Kosovë, tokat e papunuara të punohen në pranverë të subvencionohen dhe monitorohen nga shteti, që të pakten një përqindje e produkteve ushqimore të sigurohet nga toka jonë, mirëpo si duket jemi më shumë duke pritur nga të tjerët se çka bëjnë për Kosovën, se sa që ne po bëjmë diçka. Qeveria duhet të jetë më aktive sepse nuk krijohet ardhmeria duke u arsyetuar është kohë lufte”, deklaron ai
Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë për ‘Gazeta Blic’ se qeveria duhet të orientohet me pako ekonomike për t’i përkrahur bizneset në vend.
Sipas tij, rritja e çmimeve të produkteve bazë po e dëmton jetën e qytetarit.
“Rritja e çmimeve të produkteve bazë në Kosovë po e dëmton shumë jetën e qytetarëve. Andaj vlerësoj se me ato mjete që ka qeveria e Kosovës tani për tani, duhet të orientohet me pako ekonomike duke përkrahur kështu bizneset. Përndryshe çdo ditë e më shumë do të rëndohet jeta ekonomike”, deklaron Kadrijaj.
Për shkak të ngritjes së çmimit të grurit dhe miellit në tregjet ndërkombëtare, kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu paralajmëron shtrenjtim të miellit edhe në Kosovë deri në 60 euro për 100 kilogram miell. Derisa sipas Zejnullahut, në tregun ndërkombëtar ky çmim tashmë ka arrit deri në 80 euro.
Për rritjen e produkteve ka pasur reagime të shumta nga qytetarët dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Rriten çmimet e produkteve ushqimore, paralajmërohet shtrenjtim edhe më i lartë i miellit dhe bukës


