Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, thotë për dokumentarin Expose se rritja e çmimeve është tejet shqetësuese, duke ua bërë të pamundur jetesën në Kosovë.
“Realisht është shumë shqetësuese gjithë kjo rritje e çmimeve, është e qartë se ka rritje të çmimeve sikur në Evropë, ndërsa rrogat janë të ngrira dhe po shihet qartë se nuk po mjafton paga e qytetarëve, qoftë në sektorin publik e sidomos në sektorin privat dhe sigurisht që rritja e çmimeve, sidomos e energjisë elektrike e bën pastaj edhe këtë zinxhirin që i rrit edhe çmimet e produkteve esenciale dhe sigurisht që qytetarit i bëhet e pamundur që ta përballojë edhe jetesën në Kosovë. Vetëm në 2024 janë rritur për 14 për qind kreditë e konsumatorëve, që do të thotë se qytetarët e vendit janë detyruar të futen në kredi për t’i mbuluar shpenzimet e përditshme, qofshin të rrymës apo të konsumit të përditshëm, qofshin edhe të mbulimit të shportës familjare. Tash pas rritjes së çmimit të rrymës do të rritet sërish kredia e konsumit dhe sigurisht që qytetarët do të përballen me sfida të tjera për ta përballuar jetën në Kosovë dhe sigurisht që në këtë mes hyn edhe pjesa e papërgjegjshmërisë së formimit të institucioneve nga shumica parlamentare”, shprehet ai.
Sipas tij, duhet parë nga institucionet përgjegjëse a ka bazë rritja e çmimeve apo vetëm po shfrytëzohen nga bizneset.
“Sigurisht këtu duhet të shihet nga institucionet përgjegjëse sidomos nga inspektorët se a kanë bazë ato rritje të çmimeve apo ndoshta edhe i shfrytëzojnë këto rritje të çmimeve edhe vet bizneset por sigurisht që rritjet e çmimeve nuk janë vetëm në Kosovë, janë gjithandej, por këtu hyn më shumë institucioni apo qeveria në pyetje se sa ka politika të caktuara, politika të cilat ndikojnë në kontrollin e çmimeve, sidomos të produkteve elementare, buka, uji dhe sidomos shporta familjare në tërësi por edhe shpenzimet tjera që fatkeqësisht po rriten në këtë normë të rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe besoj se është e pamundur të mbijetojnë qytetarët sidomos shtresat e ulëta dhe të mesme që e kanë një pagë për mbijetesë”, vlerëson deputeti.
Vakumi institucional i krijuar ku dhe 3 muaj pas zgjedhjeve nuk kemi ende institucione te reja shihet si një faktor me ndikim në situatën që po u rëndon jetën qytetarëve.
Deputeti Lushtaku si faktor që ka ndikuar në gjendjen e krijuar me rritjen e çmimeve, e sheh mos formimin e institucioneve të reja. Ai fajëson qeverinë Kurti që thotë se prodhoi skandale e i shërbeu oligarkëve dhe jo lehtësimit të jetës së qytetarëve.
“Besoj që së pari është e nevojshme që të kemi formim të institucioneve dhe pastaj ta marrë përgjegjësia qeveria e cila do ta ketë qeverinë për këtë çështje. Kjo qeveri që e lamë pas më shumë është koncentruar për t’i shërbyer rastit të Martin Berishajt e rasteve të tjera që e kanë rritur ekstremisht konsumin, se sa që është rritur investimi dhe kapaciteti prodhues të energjisë elektrike dhe sigurisht që kur të rritet konsumi dhe nuk kemi prodhim të mjaftueshëm, sigurisht që nuk e përballon dot edhe kjo pjesa prodhuese dhe sigurisht që do të rriten çmimet. Po të ishin rritur çmimet për shkak të investimit në prodhim të energjisë, besoj që edhe çdo qytetar do të kishte një lloj mirëkuptimi, por derisa ka rritje të çmimeve pa ndonjë investim konkret po shihet qartë se po dalin skandale pas skandaleve dhe po shihet që investimet kanë shkuar në oligarkë të pushtetit aktual dhe jo te lehtësimi i jetës së qytetarit”, thekson ai.
Përpos mungesës së institucioneve të reja, edhe mungesa e inspektorëve dhe kontrollet prej tyre duket të ndikojnë që çmimet të rriten në mënyrë të pakontrolluar.
Deputeti i PDK-së thekson për Expose se në Kuvend kanë kërkuar që të shtohen inspektorët pasi janë të pamjaftueshëm, ndërsa thotë se shpreson se ata që janë bëjnë kontroll të dyfishtë tani kur çmimet po rriten vazhdimisht në treg.
“Ne kemi kërkuar edhe si Kuvend që të rritet numri i inspektorëve të punës, të tregut dhe fatkeqësisht nuk është bërë në proporcion me mundësitë dhe me kërkesat që qytetarët përballen çdo ditë, prandaj unë besoj se është i pamjaftueshëm si numër i inspektorëve, por shpresoj që ata e bëjnë punën e tyre dhe sigurisht sidomos këtë pjesën e rritjes së çmimeve e bëjnë një kontroll edhe të dyfishtë sepse me të vërtetë qytetarët nuk kanë mundësi ta përballojnë jetesën me këtë fluks të rritjes së çmimeve”, deklaron Mërgim Lushtaku./Gazeta Blic/