Lajme

Rritja e çmimeve/ Ekonomisti: Këto janë tri masat urgjente që do të ndihmonin në menaxhimin e situatës

04/08/2026 22:43
nga:G B

Çmimi i naftës në Kosovë u rrit shumë pas luftës SHBA-Iran.

Përpos naftës, çmimet po rriten në çdo sektor, sidomos çmimet e produkteve esenciale.

E, rritjen e çmimeve e sheh si shqetësuese eksperti i ekonomisë, Arton Muhaxheri.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se rritja e çmimeve është efekt zinxhiror i atij të naftës.

“Rritja e çmimeve në Kosovë po merr përmasa shqetësuese. Nuk bëhet fjalë vetëm për derivatet, por për pothuajse të gjitha produktet, të cilat tashmë kanë pësuar rritje si efekt zinxhiror i shtrenjtimit të naftës. Kjo situatë nuk është e izoluar vetëm në Kosovë, por po ndodh në mbarë botën si pasojë e tensioneve dhe konfliktit në mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së”, vlerëson ai.

Por, ai potencon se në Kosovë, ndër vendet e pakta në rajon e Evropa, institucionet s’kanë ndërmarrë asnjë masë për këtë krizë.

“Megjithatë, kjo është vetëm njëra anë e problemit — ajo që është jashtë kontrollit tonë. Ana tjetër lidhet drejtpërdrejt me reagimin institucional. Kosova është ndër vendet e pakta në rajon, ndoshta edhe në Evropë, ku qeveria nuk ka ndërmarrë masa konkrete për t’i dalë në mbështetje qytetarëve në këtë krizë”, thekson Muhaxheri për Gazeta Blic.

Sipas tij, janë tri masa urgjente që do të mund të ndihmonin në menaxhimin e situatës.

“Ekzistojnë të paktën tri masa urgjente që do të mund të ndihmonin në menaxhimin e situatës: kontroll më rigoroz ndaj abuzimeve me çmime, heqja e akcizës për derivatet dhe reduktimi ose pezullimi i përkohshëm i TVSH-së. Megjithatë, qeveria e Kosovës ka refuzuar t’i ndërmarrë këto hapa dhe, në këtë mënyrë, po refuzon edhe t’i mbështesë qytetarët e saj. Me një fjalë, institucionet kanë hequr dorë nga ndërhyrja në një moment kur qytetarët kanë më së shumti nevojë për mbështetje”, deklaroi Arton Muhaxheri./Gazeta Blic/