Lajme

Rritja e çmimeve dhe tërheqja e trustit, flet deputeti i LVV-së

03/30/2022 13:34
nga:Q R

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është edhe anëtar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Eman Rrahmani, thotë se janë duke e pritur edhe raportimin e Bankës Qendrore të Kosovës në komision, për të ndërmarr hapa konkret kundrejt rritjes enorme të çmimeve në vend. Sipas tij, pas raportimit do të jetë më e qartë gjendja, shkruan Gazeta Blic.

Rrahmani në një prononcim dhënë për ‘Gazeta Blic’ thekson se këto janë ndër aktivitetet me të cilat është duke u marrë ky komision, për të parë gjendjen se çka ka ndikuar në këtë rritje të çmimeve.

“Si komision kemi shqyrtuar për Trustin, e kemi pasur edhe Bankën Qendrore  për të parë se si ka ardhur deri te kjo rritje, në mënyrë që të kemi mundësi për informacione më të sakta, por për shkak të mungesës së kuorumit nuk është vazhduar mbledhja e komisionit për të raportuar edhe Banka Qendrore e Kosovës. Këto janë aktivitetet të cilat si komision jemi duke i ndërmarr për me pa gjendjen se çka ka ndikuar në këtë rritje të çmimeve për të pasur mundësi me ndërmarr hapa konkret, por duhet të presim edhe raportimin e Bankës Qendrore“, deklaron Rrahmani.

Ndryshe, Fondi i Kursimeve Pensionale ka raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në tregjet financiare dhe ndikimi i tyre në kursimet e qytetarëve.

Përfaqësues të Fondit Pensional të Kosovës thanë se kanë arritur të rikuperojnë një pjesë të investimeve që pësuan rënie në muajin shkurt, për shkak të krizës botërore ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë.

E për propozimin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti për qytetarët, si iniciativë nga deputetët e PDK-së për tejkalim të krizës me çmimet e larta, ata kanë thënë se janë të gatshëm të përmbushin çfarëdo vendimi që sjell Kuvendi, por kanë vlerësuar se ky duhet të jetë vetëm hapi i fundit që duhet të shqyrtohet si mekanizëm për situata emergjente.

Trusti: Tërheqja e mjeteve të jetë hapi i fundit që duhet të shqyrtohet, 227 milionë euro është kthimi i investimeve

 

Po ashtu, pas uljes së çmimit për disa ditë, nafta ka përjetuar ngritje të serishme të çmimit në Kosovë, raporton GazetaBlic.

Një litër naftë tani kushton nga 1.59 euro deri në 1.69.

Ndaj këtij lajmi ka reaguar edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku përmes një njoftimi në “Facebook” thuhet se lidhur me këtë rritje të naftës, autoritetet po inspektojnë në terren.

Në anën tjetër, MINT i bën thirrje të gjithë qytetarëve të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në çdo rast që gjykojnë se ka keqpërdorim, abuzim, në çdo pikë të shitjes që e hasin këtë problem.

Rritja e çmimit të naftës: Ministria e Tregtisë nis inspektimin