Vetëm gjatë ditës së sotme, u shënuan mbi 1600 raste të reja me koronavirus, duke e dërguar numrin total të rasteve aktive në 20 mijë, raporton Gazeta Blic.
Kjo shifër e lartë e të infektuarve dhe rasteve aktive, ka bërë që shumë persona të shtrihen në Klinikën Infektive, për t’u kuruar nga infektimi me koronavirus.
Mirëpo, a rrezikon Kosova të mos ketë kapacitete spitalore për t’i trajtuar të gjithë pacientët e infektuar?!
Drejtori i SHKUK-së, Valbon Krasniqi, në një përgjigje për ‘Gazeta Blic’ tregoi se ende ka shtretër të lirë në Klinikën Infektive.
Madje, Krasniqi theksoi se në momentin kur të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet brenda Klinikës Infektive, ata do të vazhdojnë mbushjen e klinikave tjera.
“Ne për çdo ditë raportojmë për numrin e të spitalizuarve në QKUK dhe nëpër spitale. Në QKUK ka kohë që kemi hapur edhe klinika tjera për COVID, natyrisht Klinika Infektive është e para që mbushet me pacientë, pastaj vazhdojm me klinika të tjera”, deklaron Krasniqi.
Për situatën e rënduar me virusin korona, ka folur edhe infektologu Sali Ahmeti.
Ahmeti në një prononcim për ‘Gazeta Blic’, thotë se po punojnë me kapacitete të plota dhe se kapacitetin teknik e kanë në shërbim të plotë.
“Po punojmë me kapacitete të plota, pacientët pranohen dhe lirohen, por zakonisht e kemi në shërbim të plotë kapacitetin teknik”, thotë Ahmeti.
Ahmeti apelon qyetarët që të vaksinohen.
“ E vetmja zgjidhje për luftimin e virusit është vaksinimi, andaj i bëjë thirrje qytetarëve që të vaksinohen”, thotë ai.
Në 24 orët e fundit 11 persona kanë vdekur dhe mbi 1600 raste të reja me COVID-19.
Ndërsa, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) njofton se në klinikat me COVID dhe spitalet e përgjithshme në Kosovë janë të shtrirë 858 pacient, prej tyre 776 të konfirmuar Covid-19 pozitivë, 32 janë në gjendje të rëndë, ndërsa 664 me oksigjeno-terapi.
11 të vdekur dhe mbi 1600 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit