Lajme

Rritet numri i shqiptarëve që heqin dorë nga nënshtetësia në këmbim të një pasaporte evropiane

10 orë më parë
nga:Sh R

Rreth 900 persona kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare gjatë vitit 2024 në këmbim të një pasaporte evropiane.

Krahasuar me vitin 2023, numri i atyre që braktisën Shqipërinë u rrit me 52 raste, ose 6.1 për qind, transmeton albinfo.

“Të paktë janë shtetet që të lejojnë dy shtetësi. Normalisht, shteti që të pret pretendon që të lini shtetësinë tuaj dhe të përfitoni atë të vendit ku jetoni. Marrja e nënshtetësisë është një procedurë e tejzgjatur dhe personat e kualifikuar kanë përparësi. Ky proces mund të zgjasë deri në 7-8 vjet”, tha për A2 CNN Rafael Todhe, jurist në Gjermani.

Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se, në dekadën e fundit, mbi 6,600 shqiptarë kanë hequr dorë nga pasaporta shqiptare. Kjo për shkak se shumë vende të BE-së nuk e lejojnë dyshtetësinë, mes tyre Austria, Holanda dhe Spanja.

Ndërsa të dhënat nga INSTAT tregojnë se rreth 52 për qind e të larguarve nga Shqipëria janë të rinj të grupmoshës 15-35 vjeç.