Lajme

Rritet numri i rasteve me lindje para kohe- Ekspertët e fushës tregojnë faktorët që po ndikojnë!

08/03/2024 10:29
nga:N K

Lindjet e parakohshme ndodhin kur foshnja lind para se të arrijë moshën e plotë të shtatzënisë, që konsiderohet rreth 37 javë.

Këto lindje ndodhin për shkak të faktorëve të ndryshëm, si infeksione, ndonjë lëndim, stresi, duhani, puna me orar të zgjatur, apo probleme të tjera shëndetësore.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), përmes faqës zyrtare të tyre ka njoftuar se është rritur numri i rasteve të foshnjave që kanë lindur para kohe.

ShSKUK bën të ditur se që nga fillimi i këtij viti e deri më tani, në klinikë janë trajtuar 430 foshnje, që sipas tyre, shënon rritje.

“Ka shënuar rritje numri i rasteve të foshnjeve që kanë lindur para kohe dhe që kanë pasur nevojë për trajtim pas lindjes, në Klinikën e Neonatologjisë, të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës”

Nga 1 janari deri më tani, në këtë klinikë janë trajtuar 430 foshnje, numër ky në rritje, krahasuar me vitet e tjera.

Në lidhje me këtë çështje, ka folur për GazetaBlic, Almira Prishtina koordinatore për vizita në shtëpi për klasa.

E njëta ka thënë se gratë nuk janë duke u përkujdesur për veten e tyre, që sipas saj, për të mos arritur në situata të tilla, këshillon që secila qendër në Kosovë t’a ketë këshillimoren, në mënyrë që gratë të marrin mësimet për një shtatëzani të mbarë.

“Mos me ardhë deri tek lindjet e parakohshme është mirë qe se secila qendër me pas kshillimoren, sepse një ciftë i martuar kur planifikonë për shtatëzani, të marrin këshilla, dhe të bëjë kontrollat adekuate për një shtatëzani normale, të shëndetëshme, në mënyrë që mos të vijnë deri tek lindja e parakohshme. Gratë nuk janë duke u kujdesur për vete” u shpreh koordinatorja Almira Prishtina.

Tutje, ajo thotë se më mirë për një grua është që të ketë planifikim të shtatëzanisë.

“Shtatëzaninë duhet me planifiku, kur thuhet planifikim, është mirë me ardhë për kontrolla tek gjinekologia, me u këshillu në mënyrë që të shkojë deri në fund të shtatëzanisë pa probleme, pa komplikime” tha ajo.

Ndërsa psikologia klinike, Donika Shahini-Lami, foli për gjendjen psikologjike të nënave që përjetojnë lindje të parakohshme.

Ajo tha se gratë mund të përjetojnë stres, ankth dhe ndjenja negative.

“Gjendja psikologjike e nënave që përjetojnë lindje të parakohshme është një çështje komplekse dhe shpesh e ndërlikuar nga faktorë të shumtë emocionalë dhe socialë. Lindja e parakohshme mund të sjellë stres të madh, ankth, dhe ndjenja të tjera negative për nënat. Ja disa aspekte të rëndësishme që lidhen me këtë,

“Nënat shpesh përjetojnë stres të madh lidhur me shëndetin dhe mbijetesën e foshnjës së tyre të lindur para kohe, veçanërisht nëse foshnja ka nevojë për kujdes intensiv neonatal (NICU). Lindja e parakohshme shpesh ndodh papritur, dhe nënat mund të ndihen të papërgatitura emocionalisht dhe praktikisht për këtë situatë.Shumë gra përjetojnë ndjenja faji, duke menduar se diçka që kanë bërë ose nuk kanë bërë ka kontribuar në lindjen e parakohshme, pavarësisht se kjo mund të mos jetë e vërtetë”, thotë Shahini Lami, për GazetaBlic.

Sipas saj, mënyrën se si një nënë t’a menaxhojë përballjen me këto lloj situata, mund të zhvillojë strategji efektive si kërkimi i mbështetjes psikologjike ose pjesëmarrja në grupe mbështetëse, që është thelbësor për nënat me lindje të tilla.

“Disa nëna mund të zhvillojnë strategji efektive për të përballuar situatën, të tilla si kërkimi i mbështetjes psikologjike ose pjesëmarrja në grupe mbështetëse.Adresimi i këtyre sfidave përmes mbështetjes mjekësore, psikologjike dhe sociale është thelbësor për të ndihmuar nënat që të përballojnë dhe të përshtaten me situatën e re në mënyrën më të shëndetshme të mundshme” tha ajo për “Gazeta Blic”.

/GazetaBlic/