Lajme

Rritet cilësia e shërbimeve në spitalin ‘Daut Mustafa’ pas investimeve

02/08/2026 20:34
nga:G B

Reparti intensiv në Spitalin e Përgjithshëm “Daut Mustafa” në Prizren, ka përfituar investime të theksuara, duke rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve që kanë nevojë. Sipas drejtorit ekzekutiv të këtij institucioni shëndetësor Osman Hajdari, fokusi kryesor i investimeve kanë qenë repartet kritike.

“Kemi investuar në njësinë koronare dhe në atë të kujdesit intensiv qendror, pastaj në sallat operative, në bllokun operativ në tërësi. Projekt strategjik që është së bashku me SHSKUK është reparti i pediatrisë dhe internos. Kjo përpos investimit ka qenë edhe sfidë, pasi interno dhe reparti i pediatrisë përfshijnë 25% të krejt spitalit”, tha Hajdari.

Ahmet Gashi nga Studenqani i Suharekës, që ka të shtruar në repartin e intensivës nënën, thotë se kësaj herë, nuk ka patur nevojë të blejë ilaqe nga jashtë.

“Kam nënën në Intensiv, tash është pak më mirë, është qe tetë ditë këtu, jemi nga Gjermania, kemi ardh nga atje, mirë na kanë prit shumë. Kanë ardhë e kanë marr nanën atje në fshat, me shërbimet jemi të kënaqur, nuk më ka ra me ble diqka për momentin”, tha Gashi.

E drejtori Osman Hajdari se ka thënë blerja e barnave nga pacientët nuk duhet dhe nuk guxon të ndodhë nën menaxhimin e tyre pa u vërtetuar se nuk ndodhen në barnatoren qendrore.

“Do të kontrollohen të gjitha hallkat e furnizimit me barna, prej barnatores doracake që ekziston deri tek barnatorja qëndrore, kur vërtetohet se ai ilaq nuk është as në barnatoren qendrore, pastaj pacientit i jepet me shku me ble”, tha ai.

Në këtë repart, u investua në infrastrukturë, gjë që na lehtësoi edhe punën e personelit, me të cilin po sfidohemi, thotë doktor Sami Reshitaj, shëf i repartit Intensiv.

“Për momentin vetëm stafi na mungon, stafi i anesteziologëve, dhe ndonjë teknik i trajnuar, përndryshe infrastruktura komplet është ndërruar, dyshemeja ka qenë shumë keq, ka pikë poshtë, nyjet sanitare janë renovuar komplet, dyert, shtretërit kanë ardhur të rinjë me pesë komanda sepse i kemi pas të thjeshtë”, shtoi ai.

Në tre mujorin e parë, investime përfitoi reparti i patologjisë, morgut dhe pritoret në bllok. Projektin për repartin e pediatrisë dhe internos në Prizren, po i financon SHSKUK, ndërsa depon e furnizimit të barnave dhe sektorit teknik për vitin 2026, sipas Hajdarit, do ta financojë Ministria e Shëndetësisë në vlerën 1.5 milionë euro.

Riorganizimi i emergjencës, radiologjisë dhe administratës, si dhe parterit të hyrje dalje të emergjencës dhe spitalit, projekt i planifikuar dhe përfunduar si projekt ekzekutiv në vlerë prej 2.5 milion euro, që do ta mbështese SSHKUK do të kryhet në vitin 2026-27. Gjithashtu pritet që të investohet në ngrohjen qendrore të spitalit, një adresim që do t’i kërkohet ministrisë së energjetikës, si dhe projekte të tjera përcjellëse të infrastrukturës, që për momentin janë të amortizuara./RTK