Lajme

Rriten tensionet, SHBA-Rusisë: Konfliktin në Ukrainë po e përshkallëzoni ju

11/19/2024 11:08
nga:Y I

Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë se është ajo që po përshkallëzon konfliktin në Ukrainë duke vendosur trupa nga Koreja e Veriut në fushë-betejë.

Deklaratat nga Uashingtoni erdhën pas akuzave të Rusisë se SHBA po i hidhte benzinë zjarrit duke lejuar Ukrainën të përdorte raketa me rreze të gjatë veprimi për të goditur territorin rus.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller, në një konferencë për media të hënën nuk pranoi të konfirmonte nëse administrata e Biden kishte dhënë lejen për përdorimin e raketave amerikane në territorin rus.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të hënën se administrata në largim po e përshkallëzonte situatën në Ukrainë dhe po përpiqej të intensifikonte konfliktin. Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, në një takim të Këshillit të Sigurimit, citoi raportet e mediave se administrata Biden i kishte dhënë “leje vetëvrasëse” presidentit Zelenskiy për të përdorur armë me rreze të gjatë për të sulmuar brenda territorit rus.

“Ndoshta Joe Biden, për shumë arsye, nuk ka asgjë për të humbur, por ne jemi të habitur nga dritëshkurtësia e lidershipit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës,” tha Nebenzia. “Ata janë të etur të luajnë në duart e administratës në largim dhe po tërheqin jo vetëm vendet e tyre, por të gjithë Evropën në një përshkallëzim në shkallë të gjerë me pasoja drastike,” shtoi ai.

Miller, më herët të hënën, tha se Rusia ishte ajo që e ka përshkallëzuar në mënyrë të përsëritur konfliktin, duke përmendur 11,000 trupat e Koresë së Veriut që janë vendosur në front, në rajonin e Kurskut në Rusi.

“Ky është një përshkallëzim i madh nga Rusia që sjell një ushtri aziatike në një konflikt brenda Evropës,” tha Miller, duke shtuar se përgjigja e SHBA do të ishte e vendosur. “Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e përshtatshme për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj, duke përfshirë veprimet e saj përshkallëzuese, dhe për të mbajtur përgjegjëse Korenë e Veriut për veprimet e saj.”

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, u tha gazetarëve në Kombet e Bashkuara se prania e trupave të Koresë së Veriut ishte një “përshkallëzim i madh dhe i rëndësishëm” dhe u zotua se Mbretëria e Bashkuar do të bëjë gjithçka të mundshme për ta vendosur Ukrainën në pozicionin më të fortë të mundshëm.

/Euronews Akbania/