Lajme

Rriten rastet e dhunës në familje dhe arrestimet për drogë në Kosovë

12/17/2025 09:28
nga:N K

Gjatë datës 16 dhjetor 2025, Policia e Kosovës ka trajtuar disa raste që lidhen me dhunë në familje, vepra penale kundër rendit publik, si dhe posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike, në disa rajone të vendit.

Në Gllogoc, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj tre anëtarëve të familjes, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Po në këtë rajon, një tjetër person dyshohet se ka demoluar një objekt banimi dhe ka sulmuar dy zyrtarë policorë, të cilët po ashtu kanë pranuar trajtim mjekësor. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Raste të dhunës në familje janë raportuar edhe në Fushë Kosovë, Kaçanik, Pejë dhe Skenderaj. Në disa raste të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa në raste të tjera, me urdhër të prokurorit, janë liruar dhe rastet vazhdojnë të trajtohen në procedurë të rregullt.

Në kuadër të luftës kundër narkotikëve, Policia ka realizuar disa arrestime. Në fshatin Bibaj të Ferizajt, një person është arrestuar pasi i janë gjetur mbi 118 gramë substancë narkotike e llojit Methamphetamine, para të gatshme, pajisje për matje dhe automjet. Në Pejë dhe Gjakovë janë arrestuar persona të dyshuar për posedim të marihuanës, ndërsa në një rast janë konfiskuar edhe armë zjarri, municion dhe pajisje ushtarake.

Ndërkohë, në Rahovec, gjatë punimeve ndërtimore është gjetur një mjet i dyshuar shpërthyes. Njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa njësiti i deminimit i FSK-së ka realizuar shpërthimin e kontrolluar pa incidente.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë kompetente, vazhdon trajtimin e të gjitha rasteve dhe fton qytetarët që të raportojnë çdo rast dhune apo aktivitet të kundërligjshëm.