Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Vlorës, ku një punonjës pastrimi është rrahur fizikisht nga persona të paidentifikuar, në afërsi të tregut të Çoles.
JOQ Albania shkruan se sipas raportimeve, personi i rrahur fizikisht është 70-vjeçari Kozma Kukli, i cili pavarësisht se në moshë pensioni, rezulton të jetë punonjës i ndërmarrjes së pastrimit.
Rasti ka ndodhur rreth orës 14:00, Kozmai ka marrë lëndime të rënda në fytyrë dhe pjesën e syve, duke përfunduar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas saj që ai ka deklaruar, dy persona janë afruar me një furgon, kanë zbritur dhe e kanë goditur pa asnjë paralajmërim.
“Nuk më thanë asnjë fjalë. Më qëlluan pa arsye, dhe kur u përpoqa të largohem, u kthyen sërish. Vetëm njëri prej tyre më tha: ‘Lajmëroje policinë, se do takohemi prapë’. Nuk munda të bëj as foto, isha i mbuluar me gjak”, tha Kukli.
Sipas JOQ Albania, banorët përreth kanë ndërhyrë menjëherë, duke njoftuar ambulancën dhe policinë, ndërsa i moshuari është dërguar me urgjencë në spital. Sipas mjekëve, i moshuari ka pësuar dëmtime të shumta në kokë dhe në syrin e djathtë, i cili rrezikon shikimin.
Për momentin, Policia e Vlorës nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen.



