Lajme

RrGK kërkon zbardhjen e rastit të 13-vjeçarës që dyshohet se është dhunuar

03/12/2024 16:07
nga:Sh R

Rrjeti i Grave të Kosovës, ka kërkuar reagim institucional dhe shoqëror lidhur me rastin e 13-vjeçares nga Peja, për të cilën dyshohet se u abuzua seksualisht nga dy persona të moshës madhore.

RRGK-ja ka kërkuar nga Prokuroria e Pejës që të bëhet një hetim serioz i veprës dhe të përpilohet aktakuza në mënyrë që dhunuesit të marrin dënimin e merituar.

“Përdhunimi i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngremë zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis. Kurse, reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve ndikon në luftimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore”, thuhet në reagim.

13-vjeçarja ishte raportuar e zhdukur në stacionin policor në Malishevë.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhej se më 11 mars e mitura është gjetur duke qëndruar në një shtëpi me dy persona të dyshuar.

“Të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale të dhunimit ndaj viktimës”- thuhet në raportin e policisë së datës 12.03.2024.