NATO bëri thirrje për një hetim zyrtar lidhur me rrëzimin e avionit të linjës ajrore të Azerbajxhanit, ku mbetën 38 viktima.
Avioni u rrëzua në Kazakistan të enjten.
“Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet dhe viktimat e fluturimit të #AzerbaijanAirlines #J28243. I urojmë të lënduarve në aksident shërim të shpejtë dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë”, shkroi Farah Dakhlallah, zëdhënësi i NATO-s, në një deklaratë në platformën e mediave sociale X.
Avioni po transportonte pasagjerë nga kryeqyteti i Azerbajxhanit Baku për në Grozny në Rusi kur u rrëzua dhe mori flakë.
Anëtarët e ekuipazhit thuhet se kanë humbur sinjalin në një zonë ku Rusia ka aktivizuar shpesh sistemet e mbrojtjes ajrore kundër dronëve ukrainas. Disa, duke përfshirë shërbimin e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, thanë se pilotët ishin subjekt i bllokimit të GPS pranë Grozny.
Ministria e Transportit e Kazakistanit po heton aktualisht rrëzimin e avionit mes pretendimeve të Rusisë se një zog shkaktoi aksidentin fatal dhe po u kërkon njerëzve të mos formulojnë hipoteza për incidentin.
“Do të ishte e gabuar të ndërtosh ndonjë hipotezë përpara se paneli hetimor të paraqesë përfundimet e tij,” tha një zëdhënës i Kremlinit.