Lajme

Rrëzimi i avionit në Kazakistan, hetimet tregojnë se avioni u godit nga jashtë

12/27/2024 22:50
nga:Y I

Azerbajxhani Airlines thotë se hetimi për ngjarjen e rëndë në Kazakistan më 25 dhjetor tregon se shkaku i rrëzimit të avionit janë goditje të jashtme.

Tridhjetë e tetë persona humbën jetën kur avioni Embraer u rrëzua me shpejtësi të madhe duke shpërthyer në flakë 3 km larg pistës në aeroportin Aktau.

Avioni fillimisht kishte tentuar të ulej në aeroportin e Groznit në Rusinë jugore, por dëshmitarët thanë se kishte pasur një shpërthim përpara se të devijohej përtej Detit Kaspik në Kazakistan.

Kreu i agjencisë së aviacionit civil të Rusisë tha të premten se situata në kryeqytetin çeçen ishte e ndërlikuar dhe se ishte vendosur një protokoll për ndalimin e fluturimeve.

“Dronët luftarakë ukrainas po kryejnë sulme terroriste në infrastrukturën civile në qytetet Grozny dhe Vladikavkaz”, tha Dmitry Yadrov, kreu i Rosaviatsia, në një video deklaratë.

“Për shkak të kësaj, në zonën e aeroportit të Groznit u prezantua një plan, duke parashikuar nisjen e menjëhershme të të gjithë avionëve nga zona”, shtoi ai.

Azerbajxhani Airlines nuk detajoi autor të sulmit dhe qeveria ka shmangur akuzimin e drejtpërdrejtë të Rusisë, ndoshta për të shmangur një konflikt me Presidentin Vladimir Putin.

Megjithatë, ekspertët e aviacionit dhe mediat pro-qeveritare në Azerbajxhan besojnë se avioni u dëmtua nga copëzat e shpërthimit të raketave ruse të mbrojtjes ajrore.

“Këto janë fragmente raketash që dëmtuan sistemin hidraulik. Kontrollet e avionit funksionojnë në bazë të hidraulikës”, tha për mediat Azerbajxhan piloti veteran Tahir Agaguliev.

Stjuardesa Zulfuqar Asadov, e cila ishte në mesin e 29 të mbijetuarve në aeroplanin e rrëzuar, tha për mediat lokale se avioni ishte goditur nga jashtë.

“Goditja shkaktoi panik brenda. Ne u përpoqëm t’i qetësonim dhe t’i ulnim pasagjerët. Në atë moment erdhi goditja e dytë ku dhe lëndova krahun”.

/Top Channel/