Lajme

Rreziku për tensione në veri për targat, flet studiuesi i sigurisë – tregon kush qëndron pas grupeve separatiste serbe

10/25/2022 23:05
nga:G B

Frika për tensionime në veri ka bërë që të ketë kërkesa për shtyrje të afatit për targat.

SHBA, QUINT-i dhe BE po kërkojnë që Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin që përfundon me 31 tetor, për 10 muaj.

Mirëpo, kjo nuk është marrë nga parasysh nga Qeveria e Kosovës, derisa kryeministri Kurti ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të targave.

Lidhur me këtë dhe rrezikun për tensione në veri, për Gazeta Blic ka folur Armend Halimi, studiues i sigurisë.

Sipas tij, kërcënimet nuk duhet ta sfidojnë vendin tonë, pasi kjo çështje herët a vonë do të marrë epilogun e saj.

“Konsideroj se Kosova ka dëshmuar seriozitetin dhe vendosmërinë e saj edhe pse të vonuar për të zbatuar vendimet e saj që kanë për qëllim shtrirjen dhe ruajtjen e sovranitetit shtetëror në tërë vendin. Andaj edhe kjo çështje, herët a vonë do të marrë epilogun e saj dhe kërcënimet çfarëdo qofshin ato nuk duhet të sfidojnë vendin tonë”, thotë ai.

Halimi shpjegon se në veri ka grupe separatiste që sponsorizohen nga Rusia, në mënyrë që ta destabizilojnë Kosovën.

“Çdo situatë e parë si revoltë që i është mveshur qytetarëve serbë të veriut të vendit, ka qenë dhe do të jenë përpjekje të shtetit të Serbisë për të penguar funksionalitetin e shtetit tonë. E gjithë kjo ka pasur një hierarki burimi apo motivimi, Rusia në majën e saj, për të pasuar me Serbinë, ku kjo e fundit organizon dhe sponsorizon grupe separatiste e kriminale deri tek rekrutimi i disa qytetarëve serbë, me apo pa vetëdije në këtë lojë për destabilizim të Republikës së Kosovës”, thekson studiuesi i sigurisë për Gazeta Blic.

Por, ai vlerëson se qytetarët serbë nuk e kanë luksin të manipulohen nga Serbia, e as kjo e fundit nuk mund të llogarit në Rusinë me shumë probleme.

“Andaj, duke parë se kjo piramidë është duke u ndodhur në njëfarë krizë, edhe skenarët e tyre i kanë më të sfiduar për t’i realizuar, ngase nëse e shohim nga poshtë, qytetarët serbë më nuk e kanë luksin të manipulohen nga Serbia, e njëherësh as vetë Serbia nuk mund të llogarit në një Rusi me shumë probleme të brendshme dhe të jashtme”, deklaron Halimi./Gazeta Blic/