Analisti politik Ilir Ibrahimi, ka thënë se nuk e kupton se si kryeministri Kurti mund të thotë se vendi rrezikohet nga lufta, e në mbrëmje të shkojë të vallëzojë në një festival që ka vizitorë nga gjithë bota, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se deklaratat e Kurtit kanë efekt te qytetarët pasi supozohet se ai ka informata të dorës së parë.
Ibrahimi ka shkruar se nëse do të kishte rrezik për luftë, do të kishim mobilizim nga KFOR-i.
Ai ka shtuar se Kosova nuk rrezikohet nga lufta por rrezikohet nga një krizë ekonomike dhe një kolaps energjetik.
Postimi i tij i plotë:
Nuk e kuptoj se si kryeministri në të njejtën ditë mund të deklarojë se vendi kërcënohet nga lufta, dhe ndërkohë në mbrëmje të shkojë dhe të vallëzojë në një festival ndërkombëtar, i cili përveç të rinjëve kosovarë, ka sjellur edhe vizitorë nga mbarë bota.
Deklarimet e kryeministrit merren seriozisht sepse supozohet se ai ka informata të dorës së parë. Ato kanë efekt te qytetarët por edhe në arenën ndërkombëtare, si te vizitorët, ashtu edhe te investitorët.
Nëse do të kishte ndonjë rrezik lufte, reagimin e parë për ndonjë mobilizim do ta kishte bërë KFOR. Një gjë të tillë nuk e kemi parë.
Atëherë pse bëhen këto deklarata nga kryeministri kur dihet që ato kanë vetëm efekte negative, sidomos kur janë të pabaza?
Kosova nuk rrezikohet nga lufta. Kosova rrezikohet nga një krizë ekonomike dhe një kollaps energjetik.
Te dyja këto kërkojnë menaxhim dhe lidership dhe nuk mund të tejkalohen me gjuhë luftënxitëse.


