Drejtori për Emergjenca në komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni thotë se kanë marrë të gjitha masat ndaj vërshimeve që janë paralajmëruar gjatë kësaj jave.
Maxhuni në një prononcim për GazetaBlic theksoi se, në Mitrovicë ka filluar pastrimi i kanaleve të ujërave të zeza dhe pastrimi i Lumit Lushta.
Maxhuni shton se kanë të gjitha kapacitetet që të mbrohen nëse ballafaqohen me një situatë të njëjtë si herën e kaluar.
“Menjëherë pas njoftimit të IHMK-së, ne jemi duke e përcjell situatën në Mitorvicë. Kemi marrë masa për pastrimin e kanaleve atmosferike, kanaleve të ujërave të zeza ku ka qenë edhe e bllokuar pak nga mbeturinat”, tha Maxhuni.
“Jemi duke e përcjell situatën edhe në Lumin Lushta ku kemi marrë masa për ta pastruar. Në bazë të kapaciteteve që i kemi, për momentin mendoj se mundemi për ta menagjuar nëse situata vjen deri tek përmbysja, apo vërshimet nga të reshurat e shiut”, përfundoi Maxhuni për GazetaBlic.
Kujtojmë se, IHMK ka paralajmëruar për reshje shiu që nga nesër, të cilat do të përfshijnë pjesën më të madhe të shiut.
“Në disa zona ato do të jenë më intensive të cilat mund të krijojnë vërshime të shpejta, të karakterit lokal, sidomos në lumenjtë me karakter të rrëkeve, të cilat zbresin prej viseve malore, ku si pasojë do të ketë tejkalim të kapaciteteve transportuese të tyre dhe mundësi të paraqitjes së vështirësive në sistemet e kanalizimeve, shembje të dheut, probleme në komunikacion, bujqësi etj”, u tha në njoftimin e IHMK-së gjatë ditës.
Sipas IHMK-së, zonat ku rrezikohen nga përmbytjet janë zonat veriore dhe ajo jugore. Tek pjesa veriore, rrezikohen Mitrovica dhe Skenderaj, ku janë edhe lumi Ibër, Sitnica dhe ai i Drenicës, ku ka pasur përmbytje së fundmi.


