Lajme

Rreziku i zjarreve në deponi të mbeturinave – Agjencia e Mjedisit kërkon masa urgjente

07/10/2025 10:00
nga:Sh R

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka bërë thirrje urgjente për parandalimin e zjarreve në deponitë urbane të mbeturinave, duke theksuar se rritja e temperaturave gjatë verës rrit ndjeshëm rrezikun për shpërthime zjarri.

Në njoftimin e publikuar në Facebook, Agjencia apelon për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, sidomos komunat, autoritetet lokale dhe operatorët e menaxhimit të mbeturinave.

Masat që kërkohen për parandalim përfshijnë:

  • Inspektime dhe monitorim të shtuar në deponi
  • Vendosje të rojeve dhe patrullimeve në orët me rrezik të lartë (mesditë e pasdite)
  • Krijimi i brezave të pastruar përreth deponive për të parandaluar përhapjen e flakëve
  • Sigurimi i mjeteve për ndërhyrje të shpejtë si ujë dhe pajisje zjarrfikëse
  • Vendosja e rezervuarëve me ujë brenda perimetrit të deponive
  • Sensibilizim i qytetarëve që të mos hedhin materiale të ndezura apo të rrezikshme pranë deponive

Agjencia paralajmëron se zjarret në deponi shkaktojnë ndotje serioze të ajrit, tokës dhe ujit përmes gazrave toksikë dhe metaleve të rënda, duke ndikuar negativisht në biodiversitetin dhe shëndetin e qytetarëve.

Pasojat për shëndetin mund të përfshijnë:

  • Sëmundje të frymëmarrjes si astma dhe bronkiti
  • Probleme kardiovaskulare si infarkti dhe goditja në tru
  • Rrezik për kancer nga ekspozimi ndaj dioksinave dhe substancave kancerogjene
  • Dëmtime në sistemin nervor, sidomos te fëmijët
  • Çrregullime hormonale dhe probleme në sistemin riprodhues

Qytetarët janë ftuar të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo rast të zjarrit apo tymit të dyshimtë në afërsi të deponive duke kontaktuar:

  • Zjarrfikësit në 193
  • Qendrën Operative Emergjente në 112
  • Raportimi i gjelbër i MMPHI në 0800-00013
  • Policinë e Kosovës në 192

“Raportoni menjëherë për të mbrojtur jetën dhe mjedisin,” thuhet në thirrjen e Agjencisë.