Debat

Rreth padisë për gjenocid

05/09/2021 20:12
nga:Xhemal Ahmeti

Qeveria kosovare është e vendosur ta padisë Serbinë për gjenocid. Ekspertët thonë se do të jetë zor. Debateve thuhet se Kosova pa qenë anëtare e OKB-së s’mund ta padisë Serbinë, përveçse nëpërmjet ndonjë shteti tjetër. Para se të pyesim se a është padia e mundshme le të pyesim; sa e domosdoshme është ajo?

A është padia për gjenocid ndaj Serbisë juridikisht e mundshme? Ekspertët e Drejtësisë Ndërkombëtare thonë ajo është e zorshme. Me të drejtë thonë ata procesi të jetë i ndërlikuar dhe energjishterës. Ata ku flasin kështu do të kenë parasysh përpjekjet shekullore të armenëve, sfidat e boshnjakëve, kroatëve dhe plotë tjerëve. Bota rrallë vë drejtësinë para interesave të tjera. Të motivuar nga këto histori e arsyetime, plotë mendojnë e besojnë se Kosova i hynë një aventure ku mund të rrëshqasë, madje edhe të vetë-dëmtohet. Qeveria kosovare është e bindur se do t’ia dalë – ajo beson t’i ketë gjitha faktet në anën e saj. Do humb apo do të fitojë Kosova nga një padi e tillë – kjo pyetje duket të jetë fabrika e gjitha dilemave që përçojnë medialisht polet në kundërshti. Vërtet, çka mund të humb e çka të fitojë Kosova nga një padi e tillë?

1.
Fillimisht ta sqarojmë njëherë valencën e mundësisë para domosdoshmërisë. Kur qarqe e lëvizje të izoluara shqiptare vendosën t’i shpallin luftë Serbisë, shumica absolute e shoqërisë kosovare ishte e bindur se lufta do përfundojë me humbje – shqiptare. Mbaj mend se si në një «Workshop» të viteve të 90-a, ku merrnin pjesë ca komandantë të ardhshëm të UÇK, vektorë politikë të anës tjetër të ashtuquajtur «pacifiste» dhe një grup «ekspertësh ndërkombëtarë», në pikë të debatit se a ia dalin grupet guerile kosovare ta mundin një ushtri siç ishte ajo post-jugosllavja, serbja, njëri nga grupi i ekspertëve tha: «varret se ç’priorizoni në këtë luftë: domosdoshmërinë apo mundësinë»: A është e domosdoshme lufta për t’u çliruar nga Serbia? A është e mundshme lufta kundër Serbisë? Të dyja pyetjeve gjithë iu përgjigjen me po. Ka rëndësi brenda një strategjie se cilën pyetje e parashtron para tjetrës. Ka rëndësi që brenda një diskursi a projekti të dish të dallosh se a duhet të vendosësh për veprime konkrete apo më tepër duhet të merresh me prognoza dhe kontigjenca, të cilat jo të gjitha apriori varen prej teje, por më shumë nga mënyra se si faktorët tjerë të involvuar brenda kauzës kualifikojnë veprimet e tua. Në fund të debatit pastaj të gjithë të pranishmit u pajtuan me përfundimin e ekspertit: u priorizua domosdoshmëria e çlirimit për ta bërë të mundshme mundësinë e luftës.

Pasi Kosova fitoi pavarësinë e saj po e njëjta shumicë, post eventum, u bind se lufta ishte e domosdoshme. U bë e mundur. Dhe vetëm atëherë kur një kauzë është e domosdoshme, bëhet e mundur dhe veç atëherë sjell në tavolinë mundësinë e një rezultati. Kur ky, rezultati mund të jetë vetëm në të mirë të një vendi dhe me rreziqe shumë më të vogla se sa në gjendjet kur duhej llogaritur edhe me jetë njerëzish, mos-hapja e kauzës së domosdoshme për realizim del e dyshimtë dhe ka të bëjë me dështime njerëzish që janë të deleguar t’i prijnë asaj.

Tash pra edhe njëherë: a është padia për gjenocid ndaj Serbisë e domosdoshme? Po, është e domosdoshme se ajo ka bërë krime të rënda kundër njerëzimit, jo vetëm njëherë. Ende as kufomat e qindra të ekzekutuarve nuk kthen. Drejtësia është përherë e domosdoshme përndryshe s’ka paqe afatgjate në atë rajon. A është padia e mundshme? Patjetër, ngase është e domosdoshme. Po ja që Gjykatat Ndërkombëtare mund ta refuzonin. Ky refuzim i mundshëm i gjykatave mirëpo nuk ka aspak të bëjë me domosdoshmërinë dhe mundësinë e Kosovës për ta bërë padinë, por ka të bëjë me formën si do sillen tjerët me të. Le ta refuzojnë, ashtu siç bënë shumica e vendeve me Armeninë për 100 vjet me radhë (1915-2015 kur nisën shtetet e para ta pranojnë). Dhe kjo madje, forma e vendimit të Gjykatës, për Kosovën, duke pasur parasysh proceset tjera që ndodhin ndaj këtij vendi del madje irrelevante, pse?

II.
Nisur nga kjo perspektive më shumë etike, filozofike se sa juridike, sido që të jetë nesër verdikti i ndonjë gjykate ndërkombëtare, ata që tentojnë ta frikësojnë apo pengojnë qeverinë kosovare në këtë aksion do të përfundojnë ashtu siç u thoshte shkrimtari romak Aulus Gellius: «Malum consilium consulatori pessimmum» (L. IV c.5). Kështu për arsye se ta këshillosh një shoqëri, së cilës nuk ia kthejnë as kufomat e lere më t’i kërkojnë falje apo t’ia pranojnë dhimbjet, dëmet dhe vuajtjet që të heq dorë nga e drejta e tij e padisë është shpirtligësi, është qëllimkeqe, është ashtu siç thotë Gellius gropa ku do përfundojë vetë këshilluesi.

Kosova ka të drejtë të kërkojë drejtësi, paqe për viktimat dhe dëmet që iu bënë asaj gjatë luftës së fundit. Madje – krahasuar me rastin armen – ajo ka të drejtë të kërkojë drejtësi edhe për viktimat e dëmet që nga viti 1911 e këndej. Pse mos i ktheu kush eshtrat e Tivarit ndonjëherë në Kosovë? Vuçiçi patjetër se do lusë botën dhe shqiptarët që të mos e bëjnë këtë gjë. Jo se frikohet se si do vendos Gjykata, por se çka do të ndodhë gjatë kohës që nga shpallja e padisë e deri tek vendimi. Ai e di se Kurti do ta rrëzojë me armën e tij: duke ia ndërtuar një narrativ të njëjtë por kësaj radhe me fakte, të cilat po u ekspozuan si e ku duhet mund ta sjellin atë personalisht në qelitë ku gjenden sot njerëzit e Kosovës.

Padia për gjenocid ndaj Serbisë është e domosdoshme dhe e mundshme. Po si duhet të bëhet ajo?

III.
Duhet të jesh erudit, duhet ta kesh poaq një staf eruditësh, që një padi të llojit ta reflektosh dhe përgatisësh në atë formë që ajo vërtet të jetë e suksesshme. Sidomos në këto kushte kur narrativi global medial e diplomatik është i përqendruar më shumë në «krimet» e UÇK-së se sa në gjenocidin faktik serb. Është rëndë ngase jo finalja – si akt i njohjes nga instancat ndërkombëtare të gjyqësisë – është caku i këtij suksesi por e gjithë substanca e kauzës duhet të zhvillohet ashtu duke ushqyer shumë procese tjera të shtetit (dialogu, njohjet, anëtarësimet, investimet, diskurset brenda e jashtë) që ai të dal nga kllapia ku e kanë futur.

Qeverisë Kurti patjetër se i duhen ekspertë kreativ dhe të përgatitur fortë në të drejtën Ndërkombëtare, por parasëgjithash atij i duhet një shtab intelektualësh interdisciplinar, historianë, filozofë, politolog, mediologë, antropologë (…) të cilët kauzën, respektivisht substancën në zhvillim e sipër e instrumentalizojnë me të gjitha mekanizmat në disponim e në aleancë me shtetin e veçanërisht në diplomaci, gjatë interaksioneve kulturore, mediatike e intelektuale me botën dhe me diasporat e saja.

Diplomacia duhet të krijojë instrumente medializimi e sensibilizimi në të gjitha vendet e botës qoftë edhe me ekspozita modeste të të tipit “Pasojat e luftës dhe domosdoshmëria për paqe – mbështetje për paqene ndër serb e shqiptarë”. Duke ekspozuar krahas fotografive megadimensionale të viktimave dhe të pagjeturve me portrete edhe qeverinë atëhershme dhe këtë të sotmen serbe; Mediat vendore dhe stafet diplomatike duhet të bëjnë çmos që rrëfimi i gjenocidit të shpërthejë muret e kulturosferës shqiptare. Ndryshe bota do të vazhdojë të mbajë «UÇK-në në Hagë» si lajmin kryesor saherë të përmendet Kosova dhe gjithçka tjetër do ta nxjerrë në second line.

IV.
Këtë që ka nis Albin Kurti sot e bëjnë serbet moti, ngase e konsiderojnë luftë të domosdoshme për të mbajtur Kosovën në këtë pozitë të izoluar, të mjerë dhe pa perspektivë organizatave ndërkombëtare. Me këtë luftë ata ia dolën ta bindin botën se Gjykata pseudokosovare e Hagës është më e rëndësishme se tjerat që mund të merreshin me gjenocidet serbe. Kjo është pikërisht narrativi me të cilin edhe sot tentojnë të bindin shtete ta çnjohin apo mos e njohin Kosovën. Investimi i tyre në Dick Martyn dhe kriminalizimin e UÇK ia dolën ta kthejnë botën në favor të interesave të Beogradit, madje edhe duke përfituar jo vetëm materialisht (Subvencionet, BE, SHBA, Turqia). Këtë strategji serbe ose nuk e kapën si duhet qeveritë paraprake ose nuk i lanë – nuk dihet ende saktësisht se çka ndodhi. Sipas analizës dhe informatave që kanë dalë sot korridoreve, del mirëpo se nuk e kapën për shkaqe të mungesës intelektuale e jo për arsye se donin të përfundojnë personalisht në Hagë dhe atë duke ia bërë Kosovës «fytyrën» aq zi sa donin serbët. Implikueshëm natyrisht duke rehabilituar autorin e vërtetë të krimit: shtetin serb dje dhe sot.

V.
Vetvetiu që Albin Kurti ngul këmbë për të realizuar padinë na le hapësirë të besojmë se ai ka detektuar me kohë mundësinë se si ta kthejë dialogun dhe respektin në interes të Kosovës. Këtë ai synon ta bëjë duke thyer narrativin antiperendimor e antikosovar të serbëve dhe rusëve nëpërmjet kërkesave legjitime të viktimave të luftës. Nëse kësaj kërkese paralelisht i shtohen edhe padite private të familjeve ndaj shtetit serb dhe drejtuar gjyqeve ndërkombëtare dhe vetë atyre serbe e kosovare qeverisë serbe i mbetet shumë pak hapësirë të luajë lojëra kauboj me indianë me Vulinin në krye se i duhet të mbrohet. Për të humbur në fund.

I vetmi problem aktual i Kurtit në këtë ndërmarrje duket të jetë diplomacia e tij, e cila nuk disiplinohet për të vepruar si shtet e jo si person. Pavarësisht se kush është ministre a ministër. Timoni kryesor që duhet ta bëjë punën më të madhe, në bashkëpunim me gjitha shtresat (posaçërisht me opozitën dhe shoqërinë civile) e shoqërisë është pengesa kryesore. Albin Kurti duhet, nëse vërtetë ka në kokë këtë strategji, që ne ia veshim në këtë analizë, ai duhet t’ia sqarojë në gjuhën sa më modeste zëvendëses së tij dhe çdo deputeti që ka brenda planin e tij, përndryshe vërtet padia mund të rrëshqasë, jo për ti bërë më shumë dëme Kosovës se sa që ka, por duke lejuar që e gjithë kauza të varret pastaj se si vendosin ca gjykatës diku jashtë Kosovës, pa përfituar me kauzën në gjitha sferat tjera të mundshme – nga e cila edhe lëngon sot Kosova: ajo duhet të përfitojë nga përparësia të mos jetë dorasja, gjenocidin në Kosovë ta kenë bërë serbët, ajo duhet të pranohet dhe të mundet të veprojë shtet sovran ku serbet janë qytetar e jo determinues të fatit të saj; Kosova nuk duhet të bëjë më urën nëpërmjet të cilave pasurohet dhe ec para Serbia dhe plotë tjera si kjo.

Kjo luftë, kjo padi e Kosovës është e domosdoshme. E mundur është se e drejtë. Dhe përkundër gjitha dyshimeve, dilemave dhe kritikave që i kem ndaj kësaj qeverie e sidomos liderit të saj Albin Kurti, i fundit duket se mund t’ia dalë, duket sikur ai mund ta fitojë këtë kauzë të veçantë dhe t’i kthejë Kosovës dinjitetin e shtetit dhe shqiptarëve të masakruarit që të munden t’i varrosin pranë vetes.