Duke pasur parasysh problemet e shumta me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, padyshim se një nga sfidat kryesore është sigurimi i kushteve financiare për jetesë.
E shumë prej qytetarëve këtë gjë e arrijnë vetëm përmes pensioneve të cilat marrin nga shteti.
Mosha e pensionit për burra dhe për gra në Kosovë është e njëjtë: 65 vjeçare. Kjo duket se nuk do të ndryshojë as gjatë Qeverisë Kurti II e cila nuk ka paraparë ndonjë ndryshim në këtë aspekt. Por, për çudi, nuk ka as kërkesë që mosha e pensionit të ulet si në shumë vende tjera të botës. Por, sa pensionistë i ka Kosova?
Aktualisht në skemat pensionale të Republikës së Kosovës janë 241 mijë pensionistë.
Në këta 241 mijë pensionistë nuk janë të përfshirë edhe 51 mijë e 198 persona nga kategoritë e luftës.
“Aktualisht në skemat pensionale në Republikën e Kosovës janë 241 mijë pensionistë, duke mos përfshirë këtu edhe 51 mijë 198 shfrytëzues të kategorive të luftës”, u tha në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Ministria e Financave.
Ndërsa në kuadër të 10 mujorit të këtij viti, në Skemën e Asistencës Sociale, në nivel vendi janë 25 mijë e 681 familje me 102 mijë anëtarë.
“Në vitin 2020 kanë aplikuar 2 mijë e 494 familje të reja për këtë skemë, kurse në vitin 2021 kemi 2 mijë e 807 familje”, u theksua nga Ministria e Financave.
E shuma totale për skemat pensionale për vitin 2021 ishte 360 milionë e 499 mijë euro, duke mos përfshirë këtu muajin dhjetor.
Kurse sa i përket pensioneve për kategoritë e luftës nga Qeveria e Kosovës janë dhënë 113 milionë e 755 euro gjithsej për 11 muaj.
Qeveria Kurti II pati marrë vendim që të rriste për 10 euro pensionet bazë të pensionistëve që kishin qenë 90 euro më parë.
Por Qeveria Kurti vendosi që të mos vazhdonte shtesat prej 30 eurove për pensionistë edhe për muajt e tjerë. Këto shtesa kishin qenë duke funksionuar prej muajit janar e deri në muajin mars dhe pritej të vazhdoheshin marrë parasysh që COVID-19 mori më tepër jetë nga të moshuarit në Kosovë.
Vetëm në një periudhë kohore siç ishte 1 mars 2021 e deri më 21 prill, COVID-19 ka ka shkaktuar vdekjen e 506 qytetarëve, prej të cilëve 405 ishin pensionistë.
Sipas informacioneve të publikuara të vitit 2011, në Kosovë jetonin 1 milion e 739 mijë e 825 banorë rezidentë. Prej tyre, ishin vetëm 116 mijë e 785 pensionistë. Për më tepër, edhe dy grupmoshat që ishin poshtë moshës së pensioneve, 60-64 dhe 55-59 nuk kishin një numër të madh, me 53 mijë e 58 dhe 65 mijë e 539 respektivisht.
Kosova ka pasur popullsi të re edhe në dekadat e kaluara. Në vitin 1981, kanë qenë vetëm 65 mijë e 701 qytetarë në moshë pensioni.
Në kuadër të pensioneve, Ministri i Financave, Hekuran Murati pati njoftuar se është realizuar pagesa e pensioneve me shtesën e aprovuar nga Qeveria e Kosovës.
Murati pati njoftuar se 69 milionë euro për 295 mijë përfitues është pagesa më e madhe që është realizuar ndonjëherë në vend.