Rreth 20 komisionerë të angazhuar në procesin zgjedhor nuk i janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë dhe Policisë për intervistim, në kuadër të hetimeve për dyshimet për manipulim të votave.
Si rrjedhojë, “Betimi për Drejtësi” mëson nga burime se Policia e Kosovës është vënë në kërkim të tyre, me qëllim të sigurimit të pranisë për procedurat hetimore.
Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren, deri më tani janë intervistuar mbi 60 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të angazhuar në procesin zgjedhor.
Sipas burimeve, disa prej të intervistuarve pritet të ndalohen për 48 orë, në varësi të zhvillimit të hetimeve.
Në kuadër të hetimeve, mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë ftuar për intervistim, ndërsa gjatë ditës pritet të ketë edhe persona të ndaluar.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar ditë më parë për “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, teksa rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.
Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.
Prokuroria ka theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.


