Lajme

Rreth 2 mijë raste të dhunës në familje gjatë 2021-ës: Viktimë edhe qindra meshkuj

12/31/2021 16:07
nga:M K

Gati secilën ditë, në raportin 24-orësh të policisë u evidentuan raste të dhunës në familje.

Dhuna në familje ishte një nga problematikat më të mëdha në Kosovë, sidomos gjatë dy viteve të fundit apo njohur ndryshe si vitet e pandemisë.

Siç duket mbyllja më e madhe ndikoi edhe më tepër në ngritjen e rasteve të dhunës në familje, ku në disa raste burri rrahu gruan apo anasjelltas, fëmijët rrahën prindërit apo prindërit rrahën fëmijët. Motra goditi motrën, e vëllai vëllanë.

Raste të ngjashme ndodhën në tërë Kosovën, e shumë prej tyre përfunduan me trajtim mjekësor.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se në 11 mujorin e vitit 2021 janë raportuar 1988 raste të dhunës në familje.

Si pasojë e dhunës në familje pati 1 mijë e 602 viktima femra, si dhe 463 meshkuj.

Totali i viktimave nga dhuna në familje ishte 2 mijë e 65 qytetarë të Kosovës.

Shifra të larta të dhunës në familje pati edhe në vitet e kaluara.

Në vitin 2020 ishin raportuar 2 mijë e 69 raste të dhunës në familje, ku 1 mijë e 636 prej viktimave ishin femra, ndërsa 465 të tjerë ishin meshkuj.

Gjithsej viktima përgjatë kësaj kohe në kuadër të dhunës në familje ishin 2 mijë e 101.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur gjithashtu se në vitin 2019 u raportuan 1 mijë e 915 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2018 ishin gjithsej 1534 raste.

Poashtu është thënë se Policia e Kosovës që nga themelimi i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje.

“Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është si parandalimi për dhunën në njërën anë dhe si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet , ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, u tha nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës për lajmi.net.

Rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë. Të njëjtat gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme.

“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar , sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla”, u tha poashtu nga Policia e Kosovës.

Kësisoj nga të dhënat e përgjithshme lidhur me rastet e dhunës në familje nga vitit 2018 deri në nëntor të vitit 2021 janë raportuar 7 mijë e 706 raste.

Për dallim nga shtetet evropiane apo në mbarë botën kur si pasojë e rasteve të dhunës ndihma e ofruar karshi viktimave është mjaftë aktive, në Kosovë shpesh herë viktimat mbesin duke duruar dhunën fizike dhe psikike vetëm për një arsye, për shkak të mos-ndihmës së duhur apo të nevojshme nga shteti.

Brenda këtij viti në Kosovë janë shënuar 3 raste të vrasjeve në familje, ku viktima kanë qenë gratë. Dy nga këto raste ishin gra të cilat janë vrarë nga bashkëshortët.

E një nga rastet më të trishta në vend përgjatë këtij viti padyshim se ishte vrasja e 18 vjeçares ga Ferizaj, Marigona Osmani.

Marigona Osmani dyshohet të jetë dhunuar për vdekje nga dy të dyshuarit, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Pas dhunimit fizik të bërë për disa ditë rresht, të dyshuarit kishin marrë trupin e pajetë të Marigona Osmanit dhe e kishin lënë në hyrje të Spitalit të Ferizajt.

Vrasja e Marigona Osmanit ishte vetëm njëra nga rastet e dhimbshme të marrjes së jetës në formë të dhunshme në Kosovë.

Rasti i 18 vjeçares mbetet të hetohet teksa të dyshuarit po vazhdojnë të mbahen në burg.

Kurse me 14 mars të këtij viti Sebahate Sopi u vra nga burri i saj, Lulëzim Sopi, për siç pati njoftuar policia në atë kohë, motive xhelozie.

Sebahate Sopi e kishte denoncuar tri herë në polici burrin e saj për dhunë në familje, porse në asnjë rast nuk ka pasur vendim efektiv nga ana e prokurorisë.

E lidhur me këtë deri më tani Kodi Penal i Republikës së Kosovës, dënimin më të rëndë për vrasje parasheh dënimin me burgim të përjetshëm. Këtë vit një dënim të tillë e mori Naser Pajazitaj vrasësi i 22 vjeçares Donjeta Pajazitaj.

Pavarësisht rasteve tejet të rënda të vrasjeve të grave, kryesit e veprave në të shumtën e rasteve kanë vazhduar të tentojnë të arsyetojnë krimin, madje edhe në seanca gjyqësore.

Sociologia Bukurije Rrustemi, thekson se dhuna në familje, konkretisht vrasja e grave, është bërë fenomen shqetësues dhe alarmues.

“Vrasja e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë është një dukuri e shpeshtë, fatkeqësisht e kjo po vjen duke u rritur viteve të fundit. Dhuna në familje fatkeqësisht po vazhdon të trajtohet si një çështje private dhe e izoluar pa pasur trajtimin e duhur nga institucionet e sigurisë dhe shtetit. Në shumë raste shkaktarët e dhunës nuk marrin as dënim minimal, kjo natyrshëm stimulon nxitjen e rasteve të tjera të dhunës në familje.”, thotë Rrustemi.