Lajme

Rregullorja e re për parkim në kryeqytet, Rama tregon ndryshimet

01/16/2024 13:35
nga:G C

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se nga 22 janari 2024, hyn në fuqi Rregullorja për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve në kryeqytet.

Rama ka treguar edhe disa nga pikat e kësaj rregullore:

-Vetura e parë pa pagesë për banorët rezident në adresën/rrugën e tyre ose pas aplikimit të kodifikimit në të gjithë qytetin, në segmentin e tyre (10 euro kosto e regjistrimit e cila aplikohet vetëm një herë)

-Kosto më e lirë për veturën e dytë (10 euro për muaj)

-Zgjatja e orarit në Zonën 1 dhe 2 deri në ora 23:00.

-Kufizim i parkimit në lagjet rezidenciale për vizitorë në orët e mbrëmjes dhe më shumë hapësira në dispozicion për banorët rezident

-Largim i të gjitha laurave në lagjet rezidenciale

-Dita e shtunë dhe e diel pa pagesë në parkingjet e hapura

Tutje, Rama ka thënë se të gjithë qytetarët që kanë parapagim përtej datës 22 Janar 2024 do të rimbursohen, duke zbritur shumën prej 10 euro për ta cilësuar si pagesë të tarifës administrative.

“Të gjithë qytetarët të cilët i kanë dokumentet e plota në ndërmarrje do të njoftohen për të nënshkruar kontratën e re dhe nuk kanë nevojë të sjellin dokumente shtesë”, ka shkruar Rama në Facebook.