Sukseset e sportistëve shqiptar në sportet individuale në veçanti në artet luftarake kanë qenë të pranishme ndër vite në shtetin e Kosovës.
Pavarësisht sfidave të ndryshme që përballen sportistët e Kosovës, shumë nga ta kanë arritur të sjellin medalje dhe arritje të mëdha në garat ndërkombëtare, shkruan GazetaBlic Sport.
Sportistët e Kosovës përveç problemeve të kushteve ku stërviten kanë edhe shumë probleme në arenën ndërkombëtare për t’a përfaqësuar vendin aty ku shtetet e ndryshme nuk e kanë njohur Kosovën.
Ish kampioni i Kosovës në boks, në kategorinë e peshave të mesme dhe gjysmë të mesme në Kosovë, Gazmend Gashi, ka zbuluar për GazetaBlic Sport, rrugëtimin dhe sfidat gjatë karrierës së tij drejt titullit kampion i Kosovës.
Gazmend Gashi i cili tashmë ushtron profesionin si trajner i licensuar për boks në Kosovë, tregon se si filloi karriera e tij si boksier dhe përfitimet nga sporti boksit.
“Me sportin e boksit kam filluar të merrem në vitin 2007. Si një i ri me shumë energji dhe entuziazëm, kisha nevojë që energjinë e tepërt ta shpenzoja në një sport, dhe ky sport që ma ofronte atë që dëshiroja ishte boksi, ku nevojitet shpenzim i madh kalorish. Madje, boksi tek unë ka skalitur guximin për të qëndruar, dhe gatishmërinë për ballafaqim, duke mos u lëkundur përballë sfidave”, tha fillimisht Gashi.
Ai vazhdon të tregoj se motivimi dhe mbështetja familjare ishin shtysa më e madhe për të që të kurorëzohet shtatë herë kampion i Kosovës në boks.
“Motivi për punë dhe disiplina asnjëherë nuk kanë munguar, por një shtytje e madhe ishte edhe vëllai im binjak, Ariani, i cili tani jeton dhe vepron në
Gjermani, ku së bashku kemi filluar jetën sportive. Në sport me qenë kampion disa vite nevojitet përkushtim maksimal, e unë së bashku me Arianin jemi dëshmuar në të gjitha gjeneratat. Të shpallesh shtatë vite kampion i Kosovës dhe të dëshmohesh në disa turne ndërkombtare, nevojitet shumë punë, e ne të dy asnjëherë nuk jemi ndalur”, vazhdoi ai.
Pengesat politike të boksierëve në Kosovë të cilat janë ende të pranishme – ishin më të theksuara në kohën para shpalljes së Pavarësisë, andaj Gashi tregon se në vitin 2007, në kohën kur federatat nuk ishin të pranuara ndërkombëtarisht këto pengesa ishin edhe më të theksuara.
“Në vitet e para vështirësitë kanë qenë të mëdha, kur dihet që në atë kohë ende, nuk ishte shpallur Pavarësia e Kosovës, që nënkuptonte që asnjë federatë nuk ishte e pranuar me të drejta të plota në institucionet ndërkombëtare të sportit”.
Vështirësitë për të vepruar si boksier aktiv sipas tij janë edhe në klube të ndryshme të boksit.
“Tani jam si trajner i licensuar në federatën e Boksit të Kosovës, ku kam qenë 2 vite trajner për gjeneratat e reja në klubin e boksit “Prishtina”, por duke e parë menaxhimin jo të duhur të klubit, jam tërhequr nga aty. Tash, së bashku më shokun dhe bashkëpuntorin, Butrintin i cili është kampion i dëshmuar i Kosovës në Taekwondo dhe dhe Emirin instruktor në FSK, kemi hapur qendrën inovative të sporteve individuale dhe biznesin sportiv që quhet “Cellactive”, ku në kuadër të saj do hapim klubin “Fight Factory”, në këto shërbime: Boks, Taekwondo, Kickboks, Jiujitsu, që do të ofrohen shërbime specifike të përgatitjes së përgjithshme fizike, ngritjen e nivelit sportiv, vetëdijesimin e rinisë në sport dhe rekreacion“.
Për fund ai u bëri thirrje të rinjëve që të merren sa më shumë me sporte pasi përfitimet shëndetësore nga sporti janë të mëdha.
“Sporti është shendet, është jetë, e kur jemi aktiv më sport ateherë e mbajmë edhe trupin në nivel optimal. Sporti largon prej punës së kotë, jep vendosmëri dhe vizion që secili sukses në jetë kërkon disiplinë dhe angazhim maksimal, sepse asgjë nuk arrihet për një ditë, një muaj dhe as një vit. Sporti është fakultet, është shkencë në vete”, përfundoi Gashi.
/GazetaBlic Sport/