Enes Toska, i cili prej dhjetë vitesh punon si udhërrëfyes turistik, është një profesionist i pasionuar për kulturën dhe historinë e Kosovës si dhe për ndihmën e turistëve që të zbulojnë bukuritë e vendit tonë.
Si udhërrëfyes, Enesi është angazhuar të ofrojë një përvojë të paharrueshme për çdo vizitor.
Ai përdor jo vetëm njohuritë e tij për histori dhe kulturë, por edhe aftësitë e komunikimit dhe dashurinë për vendin e tij, duke i mundësuar turistëve të shijojnë çdo moment të udhëtimit të tyre.
Motivin për ta bërë këtë punë, ai e ka gjetur edhe gjatë vizitave të tij jashtë vendit.
Në një intervistë për Telegrafin, Enes Toska ka shpalosur detaje interesante rreth punës së tij.
1.Si e ke nisur karrierën tënde si ciceron? A ka qenë gjithmonë një pasion për historinë dhe kulturën?
Enes Toska: Punën si guidë e kam filluar që më se dhjetë vite dhe certifikimin zyrtar e kam kryer në vitin 2018. Ajo që më ka motivuar më së shumti të mirrem me këtë profesion kanë qenë fillimisht studimet e mia në arkitekturë dhe puna e vazhdueshme në fushën e trashëgimisë kulturore në projekte të ndryshme në Kosovë. Këtu frymëzim shtesë kam pasur edhe në vizita të ndryshme të botës qoftë përmes punës apo edhe vizitave private, vizita të cilat më kanë motivuar të punoj në këtë drejtim të promovimit të vendit tonë ku fatkeqësisht qalojmë ende si shtet.
Ajo çka më bën krenar është se përpos këtij rrugëtimi personal, bashkë me kolegë dhe kolege kemi themeluar edhe Asociacionin e Guidave Turistike të Kosovës GUIDEKS e cila mirret me promovim të vendit dhe të guidave përfshi edhe trajnimin e tyre. Për më tepër tanimë GUIDEKS përfaqëson Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare të guidave tek FEG (European Federation of Tourist Guide Associations) and WFTGA (World Federation of Tourist Guides Associations.)
2.Çfarë të pëlqen më shumë rreth punës si ciceron?
Enes Toska: Njohja e kulturave të ndryshme, komunikimi dhe interaksioni me vizitorë e mysafirë si dhe përfaqësimi i vendit tim më bën të ndiej veten shumë mirë dhe krenar që kontribuoj në këtë drejtim. Përfundimi i suksesshëm i një angazhimi / turi, reagimi dhe komplimentet e vizitorëve paraqet një satifaksion që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Kjo vlen sidomos kur komentet vijnë nga vizitorë që janë për herë të parë në Kosovë dhe kanë gati zero informata për vendin tonë apo edhe informata vetëm si një vend pos-konflikti.
Në një rast, me një grup të zonjave nga Brazili me të cilat pata mundësinë të jem guida e tyre për disa ditë në vizita të ndryshme në Kosovë ku përpos vizitave në Prizren, Prishtinë, memorialin Heroinat, manastire të UNESCO-s patëm mundësi të vizitojmë edhe kullat e Dukagjinit si dhe kullat e Kompleksit Memorial Adem Jashari. Normalisht mos ta harrojmë edhe ushqimin tonë tradicional me të cilën ishin të fascionuar.
Në këtë mënyrë mysafiret tona e përjetuan tregimin tonë si Kosovë duke shkuar nëpër shtresa të ndryshme historike deri në ato të ditëve të sotme, dhe çka ishte më suprizuese se ato në fund të turit përpos një dhurate të personalizuar nga Brazili që ma kishin sjellë u shprehën se ndiejnë keqardhje të thellë pse Brazili ende nuk e ka njohur zyrtarisht Kosovën. Këtu mendoj hyn edhe roli i guidës që shpesh referohet si ambasador i vendit dhe shpresoj në këtë mënyrë ne si komunitet i guidave kemi ndërtuar dhe ndërtojmë çdo ditë urë të reja miqësie e prezantim të denjë për vendin tonë.
3.Si e përgatitni një tur për një grup të ndryshëm turistësh?
Enes Toska: Për çdo tur të planifikuar ne si guida fillimisht duhet të kemi njohuritë për lokalitetet që duhet të vizitohen dhe për më tepër që të bëhen edhe rezervimet e duhura paraprakisht për vizitë në ato lokalitete. Njohuritë tona duhet t’i përshtaten edhe grupit që na viziton ku fillimisht kërkojmë informata rreth kombësisë së tyre, nëse mund të sigurojmë profesionet apo interesimet e veçanta që kanë si dhe nëse kanë vizituar më herët vendin tonë në mënyrë që komentimi ynë t’i përshtatet sa më mirë grupit që kemi. Po ashtu duhet të kemi parasysh ndonjëherë kur kemi vizitorë familjarë me fëmijë dhe kjo automatikisht ndikon në përshtatje të komentimit tonë në mënyrë që të angazhojmë edhe fëmijët në tregimin e një lokacioni.
4.Cili është destinacioni më i veçantë që ke shoqëruar? Ka ndonjë histori të veçantë që lidhet me të?
Enes Toska: Kosova edhe pse e vogël territorialisht fatmirësisht ofron shumë për vizitorët tanë pasi ka një diversitet të pasun që ia vlen të prezantohet tek turisti. Të gjithat e kanë veçantinë e vet dhe nuk është se mund t’i veçoj shumë. Në rastin tim, duke pasur parasysh që vij nga qyteti historik i Prizrenit unë gjithmonë kam emocion të veçantë t’i pres mysafirët e mi në vendlindjen time. Kjo pasi që njoh skutat e qytetit që një vizitor jo domosdo i gjen në libra apo artikuj të ndryshëm dhe ndahen edhe tregimet e veçanta lokale që i ka prodhuar kryeqyteti ynë historik. Biblioteka kombëtare në Prishtinë është një kryevepër e veçantë të cilën me ëndje e prezantoj si dhe patjetër Kompleksi Memorial i Adem Jasharit pasi që aty mishërohen të gjitha tregimet tona që kanë të bëjnë me krenarinë, sakrificën, dhimbjen dhe rrugën e trasuar për pavarësinë tonë.
5.Cilat janë sfidat më të mëdha që hasni gjatë punës si ciceron? Si i menaxhoni ato?
Enes Toska: Sfidat më të mëdha që i kemi si komunitet i guidave është se profesioni ynë shumë vonë ka filluar të trajtohet si profesion i vërtetë nga shteti ynë dhe ka ende punë të shumta në këtë drejtim, si psh mungon një databazë shtetërore e guidave të Kosovës. Sfidë tjetër është edhe operimi pa pengesë i guidave të shteteve të ndryshme në Kosovë dhe kjo përpos që ndikon në interpretim të gabueshëm ndonjëherë por edhe kufizimin e vendeve të punës për guida vendore. Mos-funksionilizimi i monumenteve dhe muzeve të ndryshme krijon telashe poashtu pasi që ndikon në varfërim të ofertë tursitike.
6. Për ata që duan të bëhen ciceron, çfarë këshillash do t’i jepnit?
Enes Toska: Nëse keni pasion për këtë profesion, pa pritur asnjë minutë përvishuni punës dhe filloni të eksploroni vendin tuaj dhe ndjekni trajnimet përkatëse për këtë profesion. Ne njihemi si popull mikpritës dhe gjithmonë jemi të gatshëm të ndihmojmë dikë të huaj që e shohim në rrugë duke eksploruar apo me ndonjë hartë në dorë. Pse jo mos ta bëni këtë punë në mënyrë profesionale? Kjo mund të arrihet edhe me anëtarësim në GUIDEKS por edhe shoqata tjera klube të ndryshme alpinizmi nëse keni pasion edhe për udhërrëfim në male.