Kosova nuk ka arritur të marrë pikë në Volos të Greqisë.
Kosova u mposht në udhëtim ndaj Greqisë me rezultat 2-0, shkruan GazetaBlic Sport.
Atmosfera në Volos të Greqisë nuk ishte aspak miqësore. Tifozët grekë përdorën drita laserike në fytyrë për të shpërqëndruar “Dardanët“, madje edhe duke hyrë në fushë kur edhe takimi u ndal për 5 minuta pas golit të vendasve.
Golin e parë në duel e shënoi, Giakoumakis në minutën e 70’të të takimit.
Greqia shënoi edhe golin e dytë në minutën e 99’të të takimit në portën e zbrazët pasi edhe portieri, Aro Muric kishte dal në sulm.
Pas takimit u prononcua për media, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.
“Besoj se ishte ndeshje shumë e vështirë. Luftuam sa mundëm, nuk arritëm të dalim në sulm sepse humbëm topa në mesfushë. Pastaj pranonim kundërsulme. Kështu ishte tërë kohën. Nuk kishim shumë lëvizje, ndoshta nuk kërkuam shumë topin dhe nuk dolëm mirë përpara”, ka thënë Rrahmani.
“Edhe presioni, normalisht, sepse… gjithashtu unë dhe Kryeziu ishim 1-1 ndaj sulmuesve të tyre. Ishte presing i lartë, por ndoshta edhe presioni i ndeshjes dhe rëndësia e bëri të vetën”, shtoi kapiteni.
“Unë protestova te gjyqtari kryesor dhe i katërti, sepse ato që hodhën janë të temperaturës së lartë sepse janë të rrezikshme. Trajneri i tyre më fyu dhe i thash se është trajner duhet të jetë më i qetë”, tha mes tjerash Amir Rrahmani.
/GazetaBlic Sport.


