Lajme

Rrahja brenda Ministrisë së Kulturës – reagon ministri

11/13/2024 12:52
nga:G B

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar lidhur me raportimet se ka pasur një rrahje brenda Ministrisë së Kulturës. Ai ka thënë se është duke u marrë personalisht me rastin dhe po mblidhen informatat dhe faktet përkatëse.

Para gazetarëve, Çeku theksoi se janë duke u verifikuar detajet e ngjarjes.

“Informatat jemi duke i marrë, faktet duke i kontrollu, besoj edhe Policia po e kryen pjesën e saj që është shumë e rëndësishme në këto raste,” ka thënë ai.

Çeku ka bërë të qartë se dhuna, në çdo formë, është e papranueshme dhe e dënueshme.

“Dhuna ose sulmi fizik është i papranueshëm, i patolerueshëm dhe absolutisht i dënueshëm,” ka shtuar ai.

Sot në orët e paradites një përleshje fizike është raportuar të ketë ndodhur brenda zyrave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Zyrtari i kësaj ministrie, Miftar Latifi, ka shkuar në Policinë e Kosovës për të denoncuar sekretarin e Përgjithshëm, Xheladin Krasniqi, për sulm fizik, duke pretenduar se është kapur për fyti prej tij.