Lajme

Rozeta Hajdari premton mbështetje për bizneset në Parkun e Biznesit në Drenas

03/15/2024 19:02
nga:Gazeta Blic

Minsitrja Rozeta Hajdari ka premtuar mbështetje për bizneset në Parkun e Biznesit në Drenas pas djegies së Fabrikës së plastikës.

“Pas djegies së fabrikës së Plastikës në Parkun e Biznesit, gjendja në park është bërë tejet shqetësuese për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike ku mbi 40 biznese e kanë të pamundur funksionimin dhe po pësojnë dëme në të gjitha aspektet”, thuhet në njoftimin e lëshuar për media nga Minsitria e Tregtisë dhe Industrisë.

Njoftimi i plotë:

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, bashkë me shefin e stafit z. Kushtrim Dakaj dhe u.d drejtorin e KIESA-së, z. Zef Dedaj, priti sot në takim mbi 20 përfaqësues të bizneseve që janë të vendosura në Parkun e Biznesit Drenasi 1, në komunën e Drenasit.

Pas djegies së fabrikës së Plastikës në Parkun e Biznesit, gjendja në park është bërë tejet shqetësuese për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike ku mbi 40 biznese e kanë të pamundur funksionimin dhe po pësojnë dëme në të gjitha aspektet.

Ministrja Hajdari, shprehu përkushtimin e plotë për përkrahjen e bizneseve dhe ndërmorri veprime të shpejta në komunikim me institucionet përgjegjëse për zgjidhjen në afat sa më të shkurtër të këtij problemi serioz, që ka shkaktuar shumë humbje ekonomike për 42 bizneset e vendosura në Parkun Industrial në Drenas.

Ndërmarrësit tanë janë shtylla kryesore e punësimit të rinjve dhe zhvillimit socio- ekonomik të Republikës së Kosovës, prandaj mbështetja për ta nuk do të mungojë në asnjë rrethanë, theksoi ministrja Hajdari.

Përfaqësuesit e bizneseve shprehën falëndërimin për pritjen në takim dhe ofrimin e mbështetjes nga ana e Ministres Hajdari me kolegë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e poashtu edhe për përpjekjet e vazhdueshme nga ana e KIESA-së për zgjidhjen e këtij problemi.

Ekipi i KIESA-së, pas shumë shkresave zyrtare tek menaxhmenti i Keds, që nga dita kur është shkaktuar zjarri janë në teren ndërsa sot në bashkëpunim me ekipin e ZRRE-së ishin në zyrat e Keds, duke marrë përgjegjsinë që edhe të gjitha kostot e rregullimit të defektit me energjinë elektrike në Parkun Drenasi 1 do të mbulohen nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ekipet aktualisht janë në teren dhe çdo moment pritet rikthimi i energjisë elektrike në Parkun e Biznesit Drenasi 1.