Ish-sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, është shprehur i zhgënjyer pas humbjes se ‘Djajve tw Kuq’ në derbin ndaj Manchester City-t (3-0).
Legjenda e Man Unitedit, ka kritikuar trajneri Ruben Amorim, duke thënë se ekipi ka bërë hapa mbrapa.
“Dua të jem sa më mbështetës dhe pozitiv me trajnerin dhe lojtarët, por është shumë e vështirë të thuash se po shohim progres. Nuk shohim asgjë që mund të sjellë rezultate në të ardhmen e afërt. Është e vështirë,” u shpreh Rooney.
Ai theksoi se pamja e tifozëve të United që linin stadiumin përpara përfundimit të ndeshjes ishte tregues i qartë i zhgënjimit.
“E dini që loja ka mbaruar kur tifozët largohen. Mund të dëgjoheshin duke kënduar emrin e Amorimit, por njëkohësisht ishte shumë e fuqishme të shihje ata të largoheshin nga ndeshja. Ishin të zhgënjyer nga ajo që po shihnin,” shtoi ai.
Rooney kujtoi gjithashtu largimin e Erik ten Hag vitin e kaluar dhe ardhjen e Amorimit me premtimin për ndryshim.
“Na u tha se do të shihnim një mënyrë të re loje, por realiteti është se gjërat janë përkeqësuar. Nëse trajneri është i sinqertë me veten, duhet ta pranojë këtë,” përfundoi Rooney.
Manchester United mbetet nën presion të madh, ndërsa debatet mbi të ardhmen e trajnerit Ruben Amorim po shtohen çdo ditë.


