Sporti

Ronaldo në “kundërsulm”: 6 muaj më parë më morët për të çmendur!

09/07/2023 08:06
nga:Mergim Rreci

Cristiano Ronaldo është rikthyer të flasë në lidhje me Arabinë Saudite. Që ka shpenzuar miliona pafund, duke tërhequr përveç tij edhe disa emra të tjerë të mëdhenj në kampionatin vendas.

“Kampionati saudit është i bukur, por ju gjykoni pa i parë ndeshjet. Është një ligë e mirë dhe e fortë. Po e shihni vetë se çfarë po ndodh me merkaton dhe afrimet”, theksoi lojtari më i paguar në botë kohë më parë.

Gjatë një prononcimi nga grumbullimi me kombëtaren e Portugalisë, CR7 ka komentuar përsëri merkaton faraonike të Arabisë Saudite. Që po “thith” lojtarë të ndryshëm nëpërmjet kontratave të majme.

“Unë e dija se do të ndodhte kështu në Arabi. E thashë troç gjashtë muaj më parë, por më morën për të çmendur…

Por, në fund të fundit po rezulton se i çmenduri nuk është kaq i çmendur. Dhe po rezulton të jetë normale të luash në Arabinë Saudite.

Për mua ishte një privilegj i madh të ndryshoja kulturën e një vendi në aspektin futbollistik dhe të shihja yje të mëdhenj të shkojnë në Arabinë Saudite”, deklaroi kapiteni i kombëtares portugeze dhe sulmuesi i Al-Nassr.