Postimi i fundit i Cristiano Ronaldos daton një javë më parë, i kushtohej zhgënjimit të eliminimit të tij nga Botërori dhe mes rreshtave la të kuptohej që, pavarësisht se kishte dhënë gjithçka, përgjegjësitë gjendeshin diku tjetër: “Le të shpresojmë që koha të jetë një këshilltar i mirë dhe t’i lejojë të gjithë të nxjerrin përfundimet e duhura”.
Nuk ishte e vështirë për të kuptuar se kujt i referohej, edhe për shkak të marrëdhënieve të përkeqësuara me ish-trajnerin, Fernando Santos. Kjo ishte dalja e fundit publike e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, i cili pasi aventura në Kupën e Botës përfundoi keq, tani po fokusohet tek e ardhmja dhe skuadra e radhës, fanellën e së cilës do ta veshë si lojtar i lirë, pas ndërprerjes së kontratës me Manchester United.
Ëndrra e zhdukur për të shkelur të paktën në finale ishte një epilog shumë i hidhur, ngushëllimi i tij mund të jetë kontrata e një mijë e një netëve që Al-Nassr i ofroi që të pranojë transferimin në Arabinë Saudite: 250 milionë euro në sezon. Një propozim “i pahijshëm” që ka tunduar edhe një futbollist me famë botërore si ai.
CR7 e kaloi periudhën e fundit në Madrid, përpara se të udhëtonte për në Dubai. Ai nuk tha asnjë fjalë për fitoren e Messit dhe Argjentinës në Kupën e Botës. Motra e tij Katia ishte e vetmja që u shfaq në mediat sociale duke komplimentuar “Seleccion” dhe Mbappé…, duke injoruar “Pleshtin” që tërhoqi “zvarrë” Albiceleste.
Në vend të kësaj, ishte radha e Georgina-s të publikonte raportin e një turneu që kishte parë kampionin e saj të zbritur në prapaskenë në momentet kyçe të “Katar 2022”. Pankina kundër Zvicrës, njëlloj me Marokun (pa marrë parasysh aktivizimin gjatë ndeshjeve në fjalë) mjafton që gruaja të flasë për “miqësinë e tradhtuar” dhe “besimin e gabuar”, se sa e padrejtë dhe e gabuar ishte të mbash jashtë futbollistin më të mirë në botë.
Ajo që ndodhi në Katar është vetëm maja e ajsbergut të një viti të tmerrshëm, të acaruar dhe emocionalisht intensiv për futbollistin e për çiftin në përgjithësi. Këtë e ka konfirmuar vetë Georgina në një intervistë të dhënë për edicionin spanjoll të revistës për femra “Elle”.
Ka një episod në veçanti që shërben si një pikë uji dhe është traumatik: momenti më i lumtur i jetës u bë më i trishtuari për shkak të humbjes së një prej binjakëve gjatë lindjes, prillin e kaluar. Motra e tij e vogël, Bella Esmeralda, mbijetoi, por u sëmur disa muaj më vonë dhe u shtrua në spital, duke shënuar negativisht periudhën e përjetuar nga CR7 dhe partnerja e tij.
“Është diçka që do të më shoqërojë gjatë gjithë jetës sime dhe që ne nuk do të mund ta harrojmë, – shpjegoi Georgina, duke rikthyer dramën e përjetuar. – E di se çfarë do të thotë të ndihesh vetëm apo e trishtuar. E di se çfarë do të thotë të fitosh, unë e di edhe se çfarë do të thotë të humbasësh. Edhe të humbasësh dikë”.
Ajo ngjarje dhe gjithçka që hyri në kompletin e aksesorëve të atyre momenteve i prishi jetën (edhe) futbollistit, ndihmoi në prishjen e marrëdhënies me “Djajtë e Kuq”.
Ndër arsyet e ndarjes për të cilat foli në fjalimin e tij në TalkTv, gjatë programit të Piers Morgan, Ronaldo tha se ndihej i tradhtuar nga klubi, i cili dyshoi në arsyet e vërteta që e shtynë atë të anashkalonte një pjesë të fazës përgatitore parasezonale, kur vajza e tij ishte në spital./noa.al