Sporti

Roma po “fluturon” me të në stol, shpërblehet De Rossi

04/18/2024 10:42
nga:E K

Daniele De Rossi po zhvillon një punë fantastike te Roma, klubi i tij i jetës. Ish-kapiteni pati guximin të merrte drejtimin e skuadrës së zemrës në një moment tepër të vështirë.

Roma e Mourinhos luante keq dhe po vuante për të siguruar rezultate pozitive, teksa nuk mungonin tensioni, polemikat pafund dhe ndëshkimet me kartonë të kuq.

Ndryshe është Roma e De Rossit: e bukur dhe fituese. Lojtarët janë çliruar, në fytyrat e tyre nuk ka më frikë nga ndonjë gabim, tani të gjithë buzëqeshin dhe janë plot besim.

Vetëm një ndeshje ka humbur De Rossi gjatë 16 takimeve që ka drejtuar Romën: atë përballë Interi në “Olimpico”, 2-3. Disfatë që qëndron përballë kampionëve të ardhshëm të Italisë.

Skuadra është shumë afër sigurimit të një bilete në Champions League për sezonin e ardhshëm. Gjithashtu afër gjysmëfinaleve të Europa League, pasi kryeqytetasit fituan 0-1 sfidën e parë ndaj Milanit në “San Siro”.

Të gjithë janë të kënaqur dhe të lumtur me punën e De Rossit, i cili ka marrë lajmin e mirë pak orë përpara takimit të kthimit ndaj Milanit. 40-vjeçari është konfirmuar në postin e trajnerit të Romës edhe për sezonin e ardhshëm.

Gjithçka është zyrtarizuar nga klubi italian, nëpërmjet një komunikate të Dan dhe Ryan Friedkin. “Një projekt afatgjatë”, e përcaktojnë pronarët marrëveshjen për rinovimin e De Rossit. Duke saktësuar se “detaje të mëtejshme do të vijojnë në ditët në vijim”.

“Pas një takimi të mbajtur dje pasdite me Daniele De Rossin, ne jemi të kënaqur të njoftojmë se ai do të vazhdojë të mbajë postin e trajnerit të Romës edhe pas përfundimit të këtij sezoni.

Në mandatin e tij të shkurtër si trajner, ndikimi pozitiv që lidershipi i tij solli në të gjithë klubin është vazhdim i historisë së tij të jashtëzakonshme me Romën.

Udhëheqja e Danieles karakterizohet nga respekti dhe guximi, ndërsa forca dhe besimi i tij, të rrënjosur thellë në klub, janë në përputhje me vlerat e Romës, qytetit dhe tifozëve tanë unikë.

Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me përkushtim gjithnjë e më të madh për të ofruar të ardhmen që tifozët e Romës meritojnë”, theksojnë Friedkin.