Njerëzit mbipeshë që kanë një akumulim të përqendruar të dhjamit në zonën përreth belit, janë më të rrezikuar nga mungesa e vitaminës D.
Gjetjet e një studimi të cilit i referohet AgroWeb.org, nënvizuan rolin e dëmshëm të mbipeshës në shëndetin e njeriut.
Mungesa e vitaminës D reflektohet në dendësinë kockore por edhe rrit rrezikun për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, imunitetit dhe zemrës.
Ekspertët thonë se ka një lidhje shumë të fortë mes akumulimit të yndyrnave në zonën abdominale me nivelet e ulëta të vitaminës D.
Mbipesha Dhe Vitamina D
Sipas të dhënave të studimit, meshkujt obezë kanë më pak vitaminë D në organizëm.
Nga ana tjetër, tek femrat mbipeshë, dhjamosja e mëlçisë është ajo që luan rol të fortë në uljen e nivelit të vitaminës D në organizëm.
Burimet e Vitaminës D
Njeriu e merr pjesën më të madhe të vitaminës D nëpërmjet rrezeve të diellit.
Kur këto rreze, sidomos ato të mesditës, bien në kontakt me lëkurën, nxisin prodhimin e vitaminës D.
Njerëzit që jetojnë në vende me klimë të ngrohtë, përfitojnë më shumë vitaminë D.
Vitaminën D mund ta gjeni në këto ushqime siç janë:
Qumështi
Drithërat
Salmoni
Peshku ton
Skumbria
Vaji i papërpunuar i peshkut
Vaji i mëlçisë së Merlucit
Ngrënia e këtyre ushqimeve, shkakton një sërë reagimesh pozitive në mëlçi dhe veshka.
Këto organe e transformojnë vitaminën D në formën e përshtatshme për organizmin.
Sa Vitaminë D Duhet Të Marrë Një I Rritur?
Sipas informacioneve të AgroWeb.org, në përgjithësi, të rriturit duhet të konsumojnë 600 njësi të vitaminës D në ditë, pra rreth 15 mikrogramë.
Të moshuarit mbi moshën 70 vjeç duhet të konsumojnë 800 njësi të kësaj vitamine në ditë, pra rreth 20 mikrogramë.
Pasojat e Tjera Të Mungesës Së Vitaminës D
Mungesa e zgjatur e vitaminës D shkakton çrregullime të masës minerale të kockave dhe fraktura tek fëmijët dhe të rriturit.
Mungesa e kësaj vitamine, nxit problemet me kockat, muskujt dhe shkakton dhimbje të gjymtyrëve.
Pamjaftueshmëria e vitaminës D mund të kontribuojë edhe në shfaqjen e osteoporozës.
Studime të shumta e kanë lidhur mungesën e vitaminës D me depresionin, sëmundjet e zemrës, çrregullimet imunitare, infeksionet dhe shtimin e qelizave të dëmshme.
Shkencëtarët thonë se mungesa e kësaj vitamine nuk i shkakton këto sëmundje por është një nxitës biologjik për disa procese inflamatore të lidhura me sëmundjet./AgroWeb.org