Lajme

Rohde: Pa normalizim të marrëdhënieve nuk ka anëtarësim të Kosovës dhe Serbisë në BE

10/18/2024 16:36
nga:Y I

Dekada e Procesit të Berlinit u diskutua sot në një tryezë në Prishtinë, aty ku i pranishëm ishte edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde.

Ambasadori gjerman foli për një dekadë pune në këtë proces që synon afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Rohde tha se Procesi i Berlinit mbetet kyç për integrimin e Kosovës në BE përmes bashkëpunimit rajonal.

Sipas tij, mbesin edhe shumë mundësi të tjera për t’u zhbllokuar, e indikatorët, siç tha ai, tregojnë se ende nuk janë plotësuar të gjitha pritjet.

“Duke shikuar në 10 vitet e Procesit të Berlinit është arritur shumë, por shumë mundësi mbeten për t’u zhbllokuar. Jo të gjithë treguesit i kanë përmbushur ende pritjet”, tha ai.

Rohde ka kërkuar progres në dialogun Kosovë-Serbi.

Duke komentuar takimin e radhës, në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, ai tha se palët duhet të zbatojnë Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

“Pritshmëritë tona janë që palët e interesuara që duan të lëvizin, flasin me njëri-tjetrin dhe kanë vullnet politik për të arritur progres, sepse për momentin nuk ka shumë përparim në dialog. E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku. Për qytetarët e rajonit dhe veçanërisht të Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që të ketë lëvizje që ne të ecim përpara dhe jam i sigurt se Lajçak dhe ekipi i ri në komision duan përparim. Dhe në fund qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE. Të dyja dhe të gjithë e dinë se kjo mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim dhe pa normalizim nuk ka anëtarësim të mundshëm”, tha ai, transmeton KP.

Rohde sërish përshëndeti vendimin e kryeministrit Albin Kurti, për heqjen e njëanshme të vizave për shtetasit nga Bosnja e Hercegovina, vendim ky i cili do të fuqizohet nga janari i vitit që vjen e që u bë publik pikërisht në ditën e samitit në Berlin kur u shënua edhe viti jubilar i tij.