Sporti

Roberto Carlos me rrëfim tronditës: Humba 99% të gjithçkaje që fitova në futboll

09/25/2026 20:36
nga:Mergim Rreci

Legjenda braziliane e futbollit, Roberto Carlos, ka rrëfyer se ka humbur pothuajse të gjithë pasurinë që kishte grumbulluar gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme.

Ish-mbrojtësi i Real Madridit ka treguar se problemet me agjentët, familjarët dhe njerëz të afërt i kanë shkaktuar humbje të mëdha financiare.

“Kam pasur probleme me njerëz që e lanë llogarinë time në zero. Për shkak të agjentëve dhe familjes, humba 99% të gjithçkaje që fitova në futboll. Bëra gabime dhe kjo është arsyeja pse tani flas me futbollistë të rinj, në mënyrë që të mos përfundojnë në të njëjtën situatë”, ka deklaruar Roberto Carlos.

Braziliani ka përdorur përvojën e tij për t’u dhënë një mesazh futbollistëve të rinj, duke i paralajmëruar që të jenë të kujdesshëm me personat të cilëve u besojnë menaxhimin e financave të tyre.

Roberto Carlos është një prej figurave më të mëdha në historinë e Real Madridit. Me fanellën e “Los Blancos”, ai zhvilloi 527 ndeshje dhe u shndërrua në një nga mbrojtësit më ikonë të klubit.

Aktualisht, ish-futbollisti brazilian vazhdon të jetë i lidhur me Real Madridin në rolin e ambasadorit.

/GazetaBlic Sport/