Kupa e Botës 2022

Roberto Carlos flet para finales së madhe mes Argjentinës dhe Francës

12/16/2022 09:51
nga:Mergim Rreci

Në Katar, aty ku zhvillohet Botërori, janë mbledhur personazhe nga më të rëndësishmit në botën e futbollit. yje aktualë, por edhe të së kaluarës teksa një prej tyre është ish-mbrojtësi i famshëm i Brazilit, Roberto Carlos.

Tashmë, në rolin e ambasadorit të FIFA-s, braziliani foli hapur duke prekur disa tema si nga transferimi i talentit Endrick te Real Madrid, finalja mes Argjentinës dhe Francës, por edhe zhgënjimi nga paraqitja e Brazilit të tij.

Endrick- “Endrick përgatitet që të luaj me më të mëdhenjtë, do jetë pjesë e skuadrës së parë te Palmeiras. Deri tani është aktivizuar në inferiore, ai me moshatarët e tij e ka treguar se ccfarë është i aftë të bëj. Por, edhe në ekipin e parë të Palmeiras kur i është dhënë mundësia ia ka dalë të shfaqë talentin. Tashmë, i duhet të presë vitin 2024 kur të veshë fanellën e Real Madrid, do të mësoj për La Liga-n dhe do të jetë pjesë e klubit më të madh”.

Finalja Argjentinë-Francë- “Është e vështirë të zgjedhësh një skuadër, unë jam në rolin e ambasadorit të FIFA-s. Argjentina e nisi me disfatë kundër Arabisë Saudite, megjithatë lojtarët dhe trajneri qëndruan të bashkuar dhe nisën të përmirësoheshin me kalimin e ndeshjeve. Nga ana tjetër, dihej që Franca ishte një prej favoriteve. Është një finale mes dy kombëtareve të mëdha dhe le të fitojë më i miri”.

Brazili- “Mendoja se do të shkonin më larg këtë Botëror, shpresoja më shumë nga Brazili. Duhet të përgatiten më mirë për Botërorin e ardhshëm, kështu e ka futbolli. Gjithashtu, prisja më shumë edhe nga Uruguai e Spanja”.