Gazetari i njohur Enver Robelli, ka publikuar një postim ku paralajmëron një skenar të mundshëm për përfshirjen e Bashkimit Europian në procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Duke iu referuar burimeve anonime, ai shkruan se të martën Bashkimi Europian do të emërojë diplomatin veteran polak Tadeusz Kazowiecki si ndërmjetësues mes partive politike të Kosovës për gjetjen e një kandidati për president.
“Burime të mirëinformuara njoftojnë, në kushte anonimiteti, se të martën Bashkimi Europian do të emërojë diplomatin veteran polak Tadeusz Kazowiecki si ndërmjetësues mes partive politike të Kosovës për gjetjen e një kandidati për president të Kosovës. Në rast se partitë kosovare e vazhdojnë traditën e ofendimit të zgjedhësve, ndërmjetësi Kazowiecki do të propozojë tre personalitete europiane si kandidatë për president të Kosovës me mandat dyvjeçar”, ka shkruar Robelli.
Sipas Robellit, nëse partitë e vazhdojnë traditën e ofendimit të zgjedhësve, ndërmjetësi mund të propozojë tre emra europianë për president me mandat dyvjeçar: Joschka Fischer nga Gjermania, Wolfgang Petritsch nga Austria dhe Milan Kučan nga Sllovenia.
“Gjermania e ka propozuar Joschka Fischerin, Austria Wolfgang Petritschin dhe Sllovenia Millan Kuçanin. Varet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nëse do të gjejnë një kandidat konsesual vendor apo do të detyrohen të pranojnë një president të vendosur në fron nga BE. Burimet po ashtu tregojnë se Kazowiecki ka përjashtuar shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja parlamentare”, ka shkruar Robelli në një postim në facebook


