Sporti

Jorginho favorit për Topin e Artë

08/13/2021 08:01
nga:Mergim Rreci

Liga e Kampionëve, Kampionati Europian dhe më pas Superkupa Europiane për klube.

Mesfushori italo-brazilian Jorginho pasuron ndjeshëm palmaresin e trofeve të fituar dhe ngjitet në krye të listës së pretendentëve për të fituar Topin e Artë për vitin 2021.

Të njëjtin numër trofesh ka fituar edhe italo-braziliani tjetër Emerson, që luan te Chelsea, bashkë me Jorginhon, por ky i fundit ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe protagonist në sukses, ndryshe nga mbrojtësi që shumicën e ndeshjeve i ka ndjekur nga stoli.

Mesfushori që ka zgjedhur të përfaqësojë Italinë, ishte një nga pikat kyçe të suksesit të suksesit të Chelsea-t në Ligën e Kampionëve, duke u shndërruar në pikë referimi në mesfushë, bashkë me francezin Kante, ndërsa më pas u shndërrua në njeriun rreth të cilit Roberto Mancini ndërtoi skuadrën dhe strategjinë për të fituar Kampionatin Europian.

Të mërkurën në Superkupën e Europës, mesfushori Jorginho zbriti në fushë në pjesën e dytë dhe shënoi një nga penalltitë që i dhanë suksesin Chelseat ndaj spanjollëve të Villarealit, ndërsa tani me të drejtë e sheh veten në “pole position” për të fituar trofeun prestigjoz në nivel individual.

Cristiano Ronaldo, Neymar, Lewandowski e Kevin De Bruyne janë disa nga emrat që e shohin veten jashtë garës për të fituar Topin e Artë, ndërsa gara deri në fund pritet të zhvillohet pikërisht mes Jorginhos dhe Lionel Messit, që do ta synojë për herë të 7 këtë çmim.

Ylli argjentinas mbylli një sezon deri diku zhgënjyes me Barcelonën, duke fituar vetëm Kupën e Mbretit, por ia doli të triumfonte në Copa America me Argjentinën dhe tani do të duhet të bëjë vërtetë një start perfekt të aventurës te PSG-ja, për të provuar të parakalojë Jorginhon në garën për Topin e Artë