Lajme

Rizvanolli tregon domethënien e masave emergjente për furnizimin me rrymë që i ndërmori qeveria

12/24/2021 18:32
nga:M K

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur për mbledhjen e sotme të Qeverisë ku janë miratuar masat emergjente për furnizimin me rrymë.

Ajo me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se vendimi në fjalë nuk parasheh ndërmarrjen e ndonjë mase specifike, por parasheh themelimin e një Komiteti Teknik në kuadër të ministrisë që ajo drejton, e që ka për qëllim identifikimin e paraqitjes së rekomandimeve për masa.

“Komiteti Teknik parashihet të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante si Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Univerzal (KESCO), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), si dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK)”, ka thënë Rizvanolli.

“Duke u bazuar në këto rekomandime, Qeveria si masë emergjente do të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë me qëllim të trajtimit të çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit, apo të shpërndarjes së energjisë”, ka shkruar tutje ajo.

Postimi i plotë:

Sot kemi mbajtur mbledhjen e 51-të të Qeverisë së Kosovës virtualisht ku edhe kemi miratuar propozim-vendimin për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

Ky propozim-vendim nuk parasheh ndërmarrjen e masave specifike por parasheh themelimin e Komitetit Teknik në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve për masa.

Komiteti Teknik parashihet të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante si Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Univerzal (KESCO), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), si dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK).

Ky komitet do të identifikojë dhe rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara në bazë të të cilave Ministria e Ekonomisë do të marrë vendimin dhe publikojë masat kufizuese.

Duke u bazuar në këto rekomandime, Qeveria si masë emergjente do të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë me qëllim të trajtimit të çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit, apo të shpërndarjes së energjisë.

Propozim-vendimi i miratuar sot ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, mbrojtjen e sigurisë publike, si dhe kryerjen e shërbimeve të domosdoshme për menaxhimin e sigurisë së rrjetit. Për më shumë, ky propozim-vendim ka për qëllim trajtimin e kategorisë së konsumatorëve të mbrojtur në përputhje me legjislacionin për energji.