Profilet dhe faqet e rreme në media sociale, po përdoren çdo herë e më shumë, për të shtyrë përpara agjenda të grupeve të caktuara. E kjo vërehet të ndodhë më së shumti gjatë fushatave zgjedhore.
Sipas Festim Rizanaj, hulumtues në Hibrid.info, përmes postimeve dhe komenteve të ndryshme, këto llogari tentojnë të ç’orientojnë audiencën ose qytetarët, sidomos në kohë zgjedhjesh. E kjo ndodhë duke kundërshtuar apo diskredituar kundërshtarin politik.
“Qëllimi i krijimit të këtyre faqeve, apo edhe profileve të ndryshme, është që në një farë forme me e çorientuar audiencën, sidomos në rast të zgjedhjeve. Në bazë të postimeve apo komenteve që bëjnë, ata mundohen me orientuar opinionin publik, duke kundërshtuar një lajm apo duke diskredituar kundërshtarë politikë”, thotë Rizanaj për GazetaBlic.
Ai shton se komente e faqe të tilla, përmes debateve online, bëjnë që kur individ të caktuar shohin përmbajtje që përputhet me ideologjinë e tyre politike ,e shohin atë si të vërtetë absolute.
Megjithëse aktiviteti i tyre shpeshherë lidhet me subjektet politike, Rizanaj nënvizon se nuk mund të thuhet se ato menaxhohen drejtëpërdrejtë nga partitë.
“Nuk mundemi me konkluduar. Më shumë mund të konsiderohen si një lloj zhurme online sesa si një pasqyrë reale e opinionit publik”, shton ai.
Sa i përket identifikimit të një profili të rremë, ai përmend disa hapa që dergojnë drejtë verifikimit.
“Shikohet kur është hapur profili, a ka shoqëri, a ka ndjekës, dhe çfarë përmbajtjesh publikohen. Nëse është profil i ri dhe me pak ndjekës, është i dyshimtë”, shpjegon ai.
Në fund, Rizanaj rikujton se liria e shprehjes ka kufij, sidomos kur ajo cenon dinjitetin apo lirinë e tjetrit.
“Liria jote e shprehjes përfundon aty ku fillon cënimi i tjetrit. Nuk kemi të drejtë të ofendojmë apo diskreditojmë njerëz në forma të ndryshme”, përfundon ai.


