Ndikimi i aktorëve të jashtëm në proceset zgjedhore në Kosovë vazhdon të jetë një shqetësim i madh, veçanërisht përmes mjeteve të propagandës dhe dezinformimit. Është Serbia ajo që përmes Listës Serbe synon të mbajë ndikimin e vetë në Kosovë, thotë në një intervistë për The Geopost profesori universitar, Festim Rizanaj.
Sipas tij, përmes dezinformatave dhe propagandës para dhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, Serbia është munduar të ndikojë në formësimin e perceptimeve politike dhe të minojnë proceset demokratike në Kosovë.
Festim Rizanaj, i cili është edhe hulumtues i lartë në Hibrid.info ndan vëzhgimet e tij edhe mbi përpjekjet e mediave ruse për të ndikuar opinionin publik serb në Kosovë. Ai flet për rolin e Telegramit, përhapjen e narrativave manipuluese, si dhe për tendencat më të fundit të dezinformimit gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.
Intervista e plotë:
The Geopost: Ju publikuat një raport mbi punën tuaj njëvjeçare, ku përfshihen edhe zgjedhjet në Kosovë. Çfarë parregullsish keni evidentuar në këto zgjedhje?
Rizanaj: Po, ne e publikuam një përmbledhje vjetore ku u munduam të paraqesim gjendjen e çrregullimit në Kosovë në përgjithësi. Edhe gjatë kësaj periudhe, nëse e marrim prej 2 Prillit 2024, deri në 2 Prill 2025, atëherë shihet që, disa tema kanë qenë që kanë qarkulluar.
Në pjesën e parë të vitit, ka qenë armatosja e FSK-së si një prej temave dezinformuese ku ka pasur pretendime të ndryshme për armatosjen e FSK-së me artileri të rëndë, edhe pse zyrtarisht dihet që për shembull tenka e forma të tjera FSK-ja nuk është furnizuar, që dihet publikisht edhe zyrtarisht. Ndërsa pjesa e dytë, prej momentit që Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani e shpalli datën e zgjedhjeve, atëherë kemi vërejtur që janë hapur shumë faqe të ndryshme, sidomos në TikTok, llogari të ndryshme, të cilat kanë publikuar informacione në kuadër të së cilave ka pasur edhe dezinformata të ndryshme, edhe deri në periudhën e zgjedhjeve, të 9 Shkurtit të 2025-ës, ka pasur dezinformata të ndryshme dhe kjo temë ka qenë tema që ka dominuar në raportet tona mujore për dezinformim, ku siç e ceka ka pasur llogari të ndryshme, user të ndryshëm me emra në përkrahje të partive të ndryshme. Ka pasur edhe user apo llogari të ndryshme që janë hapur në emër të kandidatëve për kryeministër, në kuadër të së cilave kanë publikuar edhe akuza politike, po edhe dezinformata të ndryshme.
Një element kyç që është vërejtur gjatë zgjedhjeve kanë qenë sondazhet e rreme që janë publikuar në media sociale, për shkak se te ne është bërë një praktikë e tillë që gjatë zgjedhjeve janë publikuar sondazhe nga kompani të agjenci që masin opinionin publik, por në media sociale kanë qarkulluar të vjetra, të manipuluara, të edituara, domethënë sondazhe të cilat, nëpërmjet së cilave është synuar që opinioni publik të manipulohet. Po ashtu ka pasur edhe disa tituj clickbait që kanë qarkulluar në media lidhur me përfshirjen në listën e kandidatëve të një partie apo një partie tjetër, dhe kjo është ajo në një farë forme pasqyra që mund të paraqitet lidhur konkretisht për zgjedhjet.
Sa i përket ndikimit të jashtëm gjatë zgjedhjeve, është vërejtur që Serbia, konkretisht nëpërmjet zyrtarëve institucionalë të qeverisë, po edhe nëpërmjet mediave, është munduar që me ndiku në opinionin publik serb në në Kosovë, nëpërmjet disa tentativave që ata i kanë realizuar. Për shembull, mbështetja financiare që i është bërë komunitetit serb këtu. Po ashtu dhe thirrja për të votuar Listën Serbe me narrativën se vetëm Lista Serbe është përfaqësuesi kryesor i serbëve të Kosovës. Njëkohësisht edhe nëpërmjet votimit të Listës Serbe synohet që dora e Serbisë të mbetet në Kosovë. Në kuadër të kësaj ka pasur edhe narrativa denigruese ndaj kandidatit apo partisë tjetër që e ka pasur rolin e ministrit për kthim dhe komunitete Nenad Rashiq, domethënë një propagandë denigruese ndaj tij sepse ai është njeri i Kurtit, domethënë nuk përfaqëson serbët e Kosovës e të tjera.
Po ashtu edhe mediat ruse, shërbimi në gjuhën serbe, Russia Today Balkans dhe Sputnik, kanë publikuar informacione dhe dezinformata të ndryshme lidhur me zgjedhjet në Kosovë, me idenë se Kurti do t’i manipulojë zgjedhjet në dëm të Listës Serbe, Kurti do të shpikë votues fantom në mënyrë që ta dëmtojë Listën Serbe dhe të mos e lejojë që të futet në parlament.
The Geopost: Sa i përket kanaleve të Telegramit, a keni vërejtë ndonjë aktivitet të shtuar gjatë zgjedhjeve të Kosovës, ku e dimë se shumica e propagandës dhe e manipulimit që bëhet nga Rusia bëhet përmes këtyre kanaleve?
Rizanaj: Këto kanale në një farë forme i kanë amplifikuar këto narrativa që janë publikuar nga zyrtarët serbë dhe nga mediat serbe, po njëkohësisht edhe ato ruse, shërbimin në gjuhën serbe. Domethënë këto janë plasuar edhe në kanalet e Telegram të njohura si Bunt, Korridar, dhe të tjera të cilat në një farë forme mundohen që të ndikojnë te opinioni publik serb nëpërmjet këtyre narrativave, në kuadër të së cilave edhe publikohen edhe amplifikohen, edhe ato të mediave edhe të zyrtarëve serbë. Edhe në këto zgjedhje ka qenë narrativa që Lista Serbe duhet të votohet edhe në këto kanale në Telegram, domethënë është promovuar kjo ideja edhe është bërë një lloj fushate kundër, siç e ceka edhe ministrit Nenad Rashiq edhe në Telegram.
The Geopost: Dhe raporti i fundit monitorues për këtë muaj, çfarë na thotë?
Rizanaj: Siç e ceka, në muajt paraprakë, sidomos shkurt, janar edhe dhjetor, para-fushata dhe fushata zgjedhore ka ndikuar që të dominojë kjo temë, dezinformim apo keqinformim. Në muajin mars kemi pasur një diçka tjetër, nëse mundemi me e quajt, ka pasur disa akuza politike në media sociale që kanë qarkulluar, se zakonisht kjo është një lloj shprehie ku i manipulojnë disa video ose i publikojnë disa fotografi me idenë se ky politikan ose ky zyrtar ka thënë për këtë kështu ose për këtë temë ashtu. Domethënë kjo ka qenë ajo tema që ka dominuar.
Ka edhe SMS të ndryshëm mashtrues që qarkullojnë nëpër media sociale në mënyrë që të manipulojnë audiencën, si lojë shpërblyese apo me idenë se japin kredi të ndryshme e të tjera e të tjera.
Një nga temat ka qenë prapë armatosja e FSK-së mbi spekulimin se sa helikopterë do t’i merr FSK-ja, po edhe në media sociale ka qarkulluar një dezinformatë se FSK-ja po furnizohet me kundërajrorë nga Turqia, edhe pse zyrtarisht nuk dihet se çka tek qysh. Kjo ka qenë një, sa i përket temave mbi të cilat është dezinformuar më së shumti në muajin Mars. Nëse kalojmë në monitorimin që ia kemi bërë mediave serbe lidhur me çka dezinformohet atje, ka pasur teori konspirative me kaosin që ndodhi në Kuvendin e Serbisë, me idenë se kjo po ndodh me mbështetjen e kryeministrit Kurti apo po mirret ideja e tij që të bëhet një kaos i tillë në kuvend dhe ai është shumë i kënaqur që një tollovi e tillë ndodhi në kuvend, me idenë se opozita në një farë forme po i shërben atij. Po ashtu, ka pasur edhe teori konspirative të tilla që janë lidhur me narrativën se marrëveshja për mbrojtje që u bë mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, atje u interpretua si një lloj forme e rrezikimit të Serbisë apo ku synim kryesor është Serbia lidhur me këtë marrëveshje, domethënë është ndërtuar një narrativë e tillë. Edhe është shfrytëzuar ndeshja futbollistike për kualifikime në mes të Shqipërisë dhe Anglisë dhe janë publikuar disa dezinformata se atje është brohoritur “Kosova është Serbi” nga tifozët anglezë, që nuk doli të jetë ashtu. Po ashtu u pretendua se një baner i hapur nga tifozët kuqezi të kombëtares së Shqipërisë ku “21 vjet jemi bashkë këtu”, duke e nënkuptuar që 21 vjet, nënkupton krijimin e tifozerisë, ata e lidhën se 21 vjet i bie që në një farë forme me u përmend trazirat e marsit, të cilat kanë ndodhur në 2004-ën, domethënë 21 vjet këta e përkujtojnë trazirat e marsit, një dezinformatë e tillë që nuk kishte bazë.
/The Geopost