Showtime

Rita Ora e Kosovës, këngëtarja që në dhjetëra raste promovoi me krenari prejardhjen e saj

08/27/2023 19:38
nga:G B

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, gjatë një performance mbrëmë në një festival të Hungarisë e ka mbajtur flamurin e Serbisë, veprim ky i cili u komentua shumë.

Por, Rita ka reaguar pas qarkullimit të kësaj videoje, duke sqaruar që flamurin ia kishte dhënë një fans dhe nga ndriçimi i skenës nuk e kishte parë se cilit shtet i përkiste.

Në këtë reagim, Rita Ora gjithashtu u shpreh edhe njëherë krenare që është shqiptare.

Por, kjo nuk është hera e parë që ajo e bën një gjë të tillë, sepse Rita në vazhdimësi e ka shprehur krenarinë për prejardhjen e saj.

Gjatë këtij muaji, Rita u fascinua me të kuptuar se njëra prej konkurrenteve në audicionin e ”The Voice Australia”, është nga Kosova.

Kur 16-vjeçarja, Sihana Haxhnikaj nga Sydney, bëri prezantimin e saj pas interpretimit të ”Nothing breaks like a heart”, përballë të pranishmëve Rita Ora i flet me kureshtje, se emri i saj i dukej i ‘njohur’, meqë vjen nga po i njëjti vend, ndaj edhe i reagoi duke iu drejtuar konkurrentes dhe familjes së saj në Gjuhën Shqipe.

”Ou zemër, si jeni, mirëmbrama”, ishte shprehur Rita Ora, shkruan Klankosova.tv.

Nuk kanë munguar as vizitat e Rita Orës, si në Kosovë edhe në Shqipëri, duke mbajtur kështu konferenca e koncerte në Prishtinë e Tiranë, ku publiku shqiptar ka mundur ta shoh nga afër bukuroshen shqiptare, me famë botërore.

Madje, Rita është siguruar gjithmonë që momentet nga këto koncerte t’i ndajë edhe në llogaritë e saj në rrjetet e ndryshme sociale, me miliona ndjekësit e saj nga mbarë bota.

17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe 28 nëntorin atë të Shqipërisë, Rita nuk harron asnjëherë t’i urojë me fjalët më të bukura e të zgjedhura në Gjuhën Shqipe.

Rita Ora

Por, ajo nuk ka hezituar asnjëherë që të reagojë edhe për raste të ndjeshme, siç është ai i përdhunimit të 11-vjeçares, e cila mes lotësh, ishte shprehur se këto ngjarje nuk duhet të përsëriten më.

“Ju kërkoj ndjesë sepse mund të jem emocionale. Ajo çfarë ndodhi në Kosovë na bëri të kujtojmë edhe një herë se sa e rëndësishme është për prindërit që të punojnë me fëmijët që këto ngjarje mos përsëriten më”, ishte shprehur Rita.

E kur në mbarë botën ishte publikuar harta interaktive, e cila zbulon vendlindjet e të famshmëve në mbarë globin, Rita Ora ishte shprehur krenare që është lindur në Prishtinë.

Duke u shprehur krenare për prejardhjen e saj, Rita ndau me 16.1 milionë ndjekësit e saj në Instagram një pamje të hartës së Kosovës, ku theksohet Prishtina si vendlindja e saj.

Origjinën e saj ajo e ka promovuar edhe përmes anës profesionale të saj, duke i kushtuar kështu një këngë, por Rita edhe në kopërtinën e njërit prej albumeve të saj e ja vendosur simbolin e flamurit kuq e zi, shqiponjën.

“Kam shumë referenca vizuale rreth simboleve të forta dhe të fuqishme që kanë domëthënie për mua, si p.sh. kam përdorur simbole të shqiponjave dhe gjëra të tilla – sepse une nga origjina jam nga Shqipëria dhe flamuri shqiptar e ka një shqiponjë në të”, ishte shprehur këngëtarja shqiptare me famë botërore.

Rita Ora

Rita në vizitat e saj në Kosovë është ndëruar edhe me medalje të ndryshme, siç ishte “Medalja Presidenciale Jubilare” e dhjetëvjetorit të Pavarësisë të Kosovës

Se e do shumë vendin dhe gjuhën e saj, Rita e ka dëshmuar edhe së fundmi, duke treguar se ka filluar ta mësojë shqip partnerin e saj, Taika Waititi.

Madje, Waitit në ditëlindjen e 32-të e ka uruar Ritën në shqip, duke e quajtur “zog”, përcjell Klankosova.tv.

“Gëzuar ditëlindjen Zog”, ka qenë urimi i Waitit për Ritën.

Raporte shumë të mira, Rita ka edhe me këngëtaren tjetër shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, të cilën e quan edhe “motër shqipëtare”.

“Ti je motra ime shqiptare”, i ishte drejtuar Rita, Bebes gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve MTV Europe Music Awards të vitit 2022.

Rita dhe Bebe

E kohë më parë, gjatë një interviste për mediat e huaja, Rita ishte deklaruar se nuk i harron asnjëherë rrënjët e saj.

“Unë nuk e harroj se prej nga jam ose çfarë kam bërë. Vazhdoj të jem po e njëjta vajzë për nënën time”, ka thënë Rita Ora.

Madje, shpesh këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka thënë se dëshiron që vazhdimisht t’ia kujtojë publikut se ka qenë refugjate para se të bëhej një superstar botëror.

Kujtojmë se e ishte vetëm njëvjeçare kur familja e saj u shpërngul në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Në moshën 21-vjeçare ajo nisi rrugëtimin e saj artistik, duke u bërë një emër që pushtoi botën me debutimin e saj të fuqishëm në tregun internacional, aso kohe me hitin ”Hot Right Now”.

rita