Lajme

Rinumërim të votave në gjithë Kosovën/ KDI mirëpret vendimin e KQZ-së: I domosdoshëm që t’i japë kredibilitet procesit zgjedhor

01/19/2026 15:23
nga:G B

KQZ ka vendosur për rinumërim të plotë të votave në gjithë Kosovën, pasi parregullsive në disa komuna pas rinumërimit të votave.

Kjo është mirëpritur nga KDI, e cila sot gjatë ditës kërkoi rinumërim të plotë.

Lidhur me këtë, Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në KDI, ka thënë për Gazeta Blic se rinumërimi është i domosdoshëm dhe se Kuvendi duhet të përfaqësohet me deputetë me meritë dhe jo me vota të manipuluara.

“Rinumërimi i domosdoshëm sepse ka pasur mospërputhje dhe pasaktësi në vota të disa kandidatëve për deputetë. KQZ sot vendosi  për rinumërim të plotë dhe të shihet nëse edhe në komuna tjera ka pasur pasaktësi të tilla dhe që të korrigjohen ato dhe të vendosen rezultatet e sakta për të gjithë kandidatët dhe të ketë përfaqësim meritor në Kuvend dhe jo me vota të manipuluara. Andaj për ne i mirëpritur fakti që KQZ vendosi t’i japë kredibilitet procesit zgjedhor duke vendosur që të ketë rinumërim që të ketë transparencë dhe të ruhet e mbrohet vota”, tha ai për Gazeta Blic.

Por, çka pritet nga rinumërimi i votave në gjithë Kosovën?

Sipas Bugaqkut, marrë parasysh parregullsitë në disa komuna, pritjet janë që të ketë edhe parregullsi në komuna të tjera e vota të shtuara kundërligjshëm.

“Po shihet që një numër të madh të vendvotimeve ka pasur parregullsi, dhe kjo është arsyeja kryesore pse KQZ vendosi që të ketë rinumërim për të gjitha komunat dhe për këtë besoj se rezultati final do të manifestojë parregullsi, prapë do të ketë vota që janë shtuar në mënyrë të kundërligjshme apo që janë manipuluar rezultatet por për këto çështje siç tha edhe kryetari i KQZ-së, do të adresohen në prokurori e më pas organet përkatëse do të adresojnë çështjen e përgjegjësisë penale që kanë ata komisionerë për falsifikim të rezultateve të votimit”, ka deklaruar Vullnet Bugaqku./Gazeta Blic/