Nga Prishtina në Champions League. Ky është Rinor Havolli, i cili padyshim mund të konsiderohet si personi me arritje madhore nga vendi ynë, pasi është momentalisht drejtor e përgjegjës në UEFA për organizimin e ndeshjeve të futbollit europian.
Havolli është caktuar nga UEFA si përgjegjës i organizimit të ndeshjeve të ekipit të Spartës së Pragës në Europë, saktësisht në Champions League, nivelin më të lartë të futbollit për klube.
Në një intervistë ekskluzive për ‘GazetaBlic Sport’, ai tregon se si arriti suksese të jashtëzakonshme ndër vite.
“Unë jam Rinor Havolli, punonjës i FFK-së qe 7 vite, qe 5 vite e ushtroj funksionin e “Match Manager”, përgjegjës i ndeshjeve të UEFA-s në të gjitha grupmoshat e ekipeve nacionale të Kosovës, tash e tri vite e gjysmë e ushtroj edhe një funksion tjetër në UEFA, si “Venue Director”, që në shqip i bie, “Drejtues i Ngjarjes”.
Jam përgjegjës për ekipin e Sparta Pragës qe dy vite, teksa e kam filluar këtë punë me Dinamo Zagrebin, eksperienca e dytë ka qenë me Slovacka, teksa tani jam me Sparta Pragën. Vitin e kaluar në Europa League, teksa tani në Champions League“, tha fillimisht ai.
Havolli tregon tutje se ai ishte në mesin e 5 personave nga e gjithë Europa që u pranua nga UEFA në këtë rol, teksa shton se është shumë krenar me këtë arritje masive të tij.
“Parimisht UEFA çdo tri vite, sa është edhe cikli i garave, hap konkurs edhe i ofrohet Federatave, nëse në këto pozicione ka njerëz të kualifikuar. Aplikimi bëhet përmes Federatave. FFK e ka cilësu se profili im mund të jetë i aplikueshëm në UEFA para disa viteve. Konkursi ka qenë për 5 persona nga 55 shtete të antarsuara në UEFA, unë e kam pas fatin që jam përzgjedhur nga UEFA. Fatkeqësia ime ka qenë që vitin e parë që u hap konkursi, ka qenë edhe formati i ri i Ligës së Kampionëve për vajza dhe për shkak të obligimeve të mia në FFK, më është dashur të zgjedhë Federatën, pasi këtu ka qenë puna parësore, por UEFA bëri përjashtim për mua, duke më përzgjedhur si pjesë të panelit, por pa skuadër. Trajnimi ka qenë online rreth 6 muaj, teksa më pas edhe fizikisht. Në mes të sezonit në janar e kam marrë një thirrje nga UEFA, pasi një nga kandidatët u tërhek, dhe pranova, sepse është mundësi që të vie një herë në jetë. Jam përzgjedh në klubin e Dinamo Zagreb, ndeshja e parë ka qenë ndaj Sevillas, në raundin e eliminimit në Europa League, ndjenjë e papërshkrueshme.
Në vitin e dytë, Dinamo u kualifikua në Champions League dhe UEFA e ka pa të arsyeshme që s’kam përvojë për atë kompeticion dhe më kanë përzgjedh në një ekip tjetër, Slovacko. Një qytet i vogël me 20 mijë banorë që kanë bë një histori, ishte hera e parë për ta dhe për mua, jemi rritë bashkë dhe kemi pas shumë sfida sëbashku. Ka qenë interesant që pasi jam caktu në klubin e Slovackos, ata kanë qenë në grup me Partizanin e Beogradit, Nice dhe Koln. Një person nga Kosova në një grup me një klub serb, ka qenë sfidë jo e lehtë, por që ia kam dal mirë dhe kam marrë feedback të mirë nga UEFA.
Të organizosh ndeshje të këtij niveli, padyshim se është stresuese dhe ka ngjarje të cilat ndodhin pa planifikim. Havolli zbulon se cila ishte ndeshja më e vështirë që e ka organizuar deri më tani në Europë.
“Secila ndeshje e ka specifikën e vet, ndeshjet të cilat ka probleme nga natyra janë më të vështirat. E kam pas një rast të veçantë, ndeshjen e fundit të grupit në Conference League mes Koln dhe Slovackas, ndeshja u ndërpre për shkak të kushteve atmosferike dhe të zhvillohet të nesërmen, shkaku i mjegullës. Na kanë tranu në UEFA se si të shkon procedura në këto situtata të rralla. Në atë kohë, pas dy muajsh ishte botërori i Katarit dhe s’kishte data të lira, presioni ka qenë të niset ndeshja dhe të përfudonte nesër. Presioni poashtu ishte nga Liga e Çekisë e Bundesligës. Ndeshja atë natë u luajt për veç 4 minuta, e kemi ndërpre, kam pas një mori telefonata me Bundesligën e ligën e Çekisë, që të shtyhen ndeshjet e tyre në ligat përkatëse. Në fund erdhëm në një konkludim që të luhet në ora 13:00. Për mua ka qenë sfida ma e madhe që kam pas deri tani”
Djaloshi nga Prishtina thotë se momentin kur ai jep sinjalin për t’u lëshuar himni i Champions League është shumë emocionues, njejtë sikurse takimi me trajnerë e lojtarë të mëdhenj europian, teksa shprehet se është krenar që është kosovari i pari në këtë pozitë të UEFA-s
“Jo vetëm si ish futbollist, çdo person që është i involvum në futboll, ëndrrat i kanë në Champions League dhe normal kur mbërrin në atë nivel është ëndërr, takohesh me legjenda, e ndëgjon himnin… Unë e jap sinjalin m’u lëshu himni, dhe kur e kam ndëgju për herë të parë, ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme, e krenarie. Vitin e kaluar Sparta ka pas kampanjë fantastike, parimisht pozita ime është përgjegjës në aspektin sportiv, që i garanton ekipit mysafir minimumin e kërkesave që lejohen në rregullore. Kontakti i parë vjen me trajnerë, kam takuar Kloppin, unë s’kam qenë fans i tij në aspekt sportiv, por kur e takon nga afër, e sheh madhështinë e tij, jam bë fans i tij, por kur jem aty, jemi zyrtarë – dhe respekti është i ndërsjelltë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/