Sporti

“Ringjallja” e portierit/ Onana po tregon pse United e kërkoi me ngulm në verë

11 muaj më parë
nga:E K

Galatasaray ishte pika më e ulët. Ishte me të vërtetë një moment siç paraqitej në banerin e tifozerisë turke: ‘Mirë se vini në ferr’. Andre Onana qëndronte i vetëm në Stamboll, pas gabimeve të kryera. Dy goditjet standarde të Hakim Ziyech e zunë në befasi dhe u shndërruan në gola.

Barazimi 3-3 në Turqi, përjashtoi efektivisht United nga faza e grupeve të Champions League. Për Onanën, sezoni evropian ishte një zhgënjim i madh, veçanërisht kur ai kishte shkëlqyer në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.

Duke mbërritur në finale me Interin dhe duke fituar lëvdata nga Pep Guardiola, skuadra e të cilit, Manchester City, i mundi zikaltrit për të ngritur trofeun.

De Gea, gjithashtu, pati një fillim të tmerrshëm të jetës në Manchester. Ashtu si spanjolli, edhe Onana ka filluar t’i kthejë gjërat për mirë. Sir Alex Ferguson i qëndroi besnik De Geas në 2011 kur edhe disa shokë të skuadrës dyshuan në aftësitë e portierit.

Edhe Ten Hag ka ruajtur besimin kundrejt Onanës. Kamerunasi, 27 vjeç, ka qenë një nga lojtarët më të mirë të United në vitin 2024. Ndeshje pas ndeshjeje, ai po bën pritje të shkëlqyera. Dyshuesit po kthehen në admirues, teksa trajneri i tij ndihet më i shfajësuar.

Që nga fillimi i vitit, afrikani është dukur më i sigurt, por në fakt po performon më afër mesatares së ligës duke marrë parasysh cilësinë dhe numrin e goditjeve me të cilat është përballur.

8 pritjet e tij të suksesshme në derbin e Manchesterit të së dielës, ishin më shumë se çdo portier që ka arritur në një ndeshje të vetme në Premier League gjatë gjithë sezonit!

De Gea bëri 14 në sezonin e tij të fundit në kampionat me “Djajtë e Kuq”. United ka përdorur 24 kombinime të ndryshme mbrojtëse deri më tani, këtë sezon. Dalot–Varane&Evans–Lindelof në derbin e fundit. Hera e parë që luajtën së bashku.

Dhjetori, me pesë humbjet e tij, ishte kryesisht i tmerrshëm për të gjithë tek Manchester United. Por përmbante një tjetër pikë kthese për portierin. Onana mbajti portën e paprekur në një barazim me Liverpoolin, duke qëndruar triumfues përballë 34 goditjeve.

Forma pozitive u rrit në fillim të këtij viti. Tashmë, “gardiani” ndihet më i sigurt dhe besimi në rritje i shokëve e ndihmon. Ai nuk është ende një lider në dhomën e zhveshjes, siç kishte një ndikim të jashtëzakonshëm tek Interi.

Por po stërvitet mirë, po qëndron edhe për një ose dy orë pas stërvitjes në mënyrë që të jetë në rendimentin më të lartë. Jeta e tij në Manchester është e qetë, rrallë del dhe është i lumtur në shtëpi.

Kthesa e tij konsiderohet tejet pozitive në një ekip si United, që nuk ka performuar në nivelet e pritura në këtë sezon futbollistik.