Lojtari i Trepçës ’89, Rilind Nimani ka komentuar formën e skuadrës së tij në këtë edicion të Superligës së Kosovës.
Trepça ’89 ka nisur sesionin pranveror me një fitore ndaj Dritës dy humbje ndaj Llapit dhe Ballkanit dhe së fundmi barazim ndaj Malishevës, shkruan GazetaBlic Sport.
Nimani gjatë një interviste për GazetaBlic Sport tregon se pavarësisht formës së skuadrës atmosfera brenda ekipit është e mirë dhe sipas tij në pozicionin që gjendet klubi tani duhet të mendojnë vetëm për fitore.
“Po siç e dini edhe ju gjërat nuk kanë shkuar siç i kemi planifikuar. Mendoj që me pak fat gjërat do ishin ndryshe, por futbolli është i tillë. Përkundër rezultateve atmosfera në klub është mjaftë e mirë. Kryesia dhe stafi i trajnerëve po bëjnë maksimumin që me përkrahje të mos lejojnë që të na kaploj dëshpërimi”, tha Nimani.
Ai tha se në ndeshjen ndaj Drenicës do të luajnë për fitore.
“Mendoj që në pozitën që jemi nuk kemi opsion tjetër përpos fitores. E di që nuk do të jetë e lehtë, mirëpo për lojën e ardhshme do udhëtojmë vetëm për tre pikë”, shtoi Nimani për GazetaBlic Sport.
Duke folur për synimet e ekipit ai tha se objektivat e klubit janë që të përfundojnë sa më mirë sezonin, kurse sa i përket Kupës së Kosovës ku Trepça ’89 do të përballet me Gjilanin ai tha se do të bëjnë maksimumin që t’i sjellin klubit një trofe.
“Që nga fillimi, objektivat e klubit kanë qenë që të kapim njërën nga vendet që sigurojnë pjesëmarrjen në garat europiane. Tani fokusin kryesor e kemi që të bëjmë sa më mirë në kampionat, por sigurisht që do të japim maksimumin që t’i sjellim klubit edhe një trofe”, përfundoi anëtari i Trepçës ’89.
/GazetaBlic Sport/


