I transferuar gjatë merkatos së dimrit te Manchester United në formë huazimi për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga dëmtimi i danezit Eriksen, mesfushori austriak Marcel Sabitzer dëshiron të qëndrojë gjatë në radhët e “Djajve të Kuq”.
Edhe pse transferimi i tij në “Old Trafford” është menduar si i përkohshëm, lojtari i lindur në vitin 1994 shpreson që United do të bëjë një ofertë për ta blerë përfundimisht.
Bisedimet pritet të zhvillohen në javët e ardhshme. Deri më sot, rikthimi i tij në Bavari duket se është i përjashtuar, me klubet e tjera të Premier League që kanë filluar të interesohen për situatën e tij. Lajmi është bërë i ditur nga “Sky Sports Deutschland”.


