Euro2024

Rikthim në skemën e vjetër, Southgate gati për duelin ndaj Zvicrës

07/03/2024 23:25
nga:Mergim Rreci

Gareth Southgate po përgatit një rikthim të vendosjes 3-4-3 tek Anglia përpara takimit çerekfinal të Euro 2024 ndaj Zvicrës. Të shtunën e 6 korrikut (18:00) në “Merkur Spiel-Arena” të Dusseldorfit.

Në stërvitje, tekniku i “Tre Luanëve” po përgatit skuadrën për një ndryshim të stilit taktik. Për t’iu përshtatur helvetëve të udhëhequr nga Granit Xhaka, të cilët luajnë me një sistem të ngjashëm.

Zvicra mundi 2-0 Italinë në raundin e 1/8-ve, duke dominuar lojën dhe duke patur shumë kontroll në mesfushë. Dhe Southgate po përpiqet t’i paraprijë kësaj situate, duke hequr dorë nga formacioni 4-2-3-1 që ka aplikuar deri tani në Gjermani 2024.

Në fakt, skema 3-4-3 nuk është e panjohur për ishullorët, që në turneun e parë që janë drejtuar nga Southgate kanë luajtur pikërisht me këtë sistem. Bëhet fjalë për Botërorin e Rusisë në 2018, ku Anglia mbërriti deri në gjysmëfinale.

Rreshtimi 3-4-3 ishte një plan B për Southgate edhe në Euro 2021. Tri sfidat e grupit ekipi i luajti me 4-2-3-1, ndërsa u zhvendos në 3-4-3 nga takimi i 1/8-ve me Gjermaninë e deri në finalen me Italinë.

“Tre Luanët” nuk kanë aspak vështirësi me interpretimin e këtij moduli loje, por opinioni në Angli është shprehur i shqetësuar se një ndryshim i tillë mund të zvogëlojë rrezikshmërinë në fazën e sulmit.

Mbrojtja e Anglisë nuk ka dhënë shumë siguri deri në këtë fazë të Europianit. Edhe pse kanë pësuar vetëm dy gola, duhet theksuar që po kaq gola u pësuan gjatë gjithë Euro 2021.

Si rrjedhojë, Southgate pritet të ushtrojë një qasje më të kujdesshme për takimin me Zvicrën, për t’u ekspozuar sa më pak në prapavijë.

Mungesa e vetme për takimin ndaj zviceranëve të Murat Yakin është Marc Guehi, i cili plotësoi numrin e kartonëve.

Mbrojtësi i Crystal Palace pritet të zëvendësohet nga Ezri Konsa, 26-vjeçari i Aston Villas.