Qarkullimi i kamionëve në hyrje e dalje të kufirit me Serbinë është normalizuar pasditen e së premtes, njoftoi Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
“Ju njoftojmë se ka filluar qarkullimi i mauneve dhe mjeteve transportuese në kufirin me Serbinë, i cili ishte i bllokuar që nga data,26.01.2026”, u tha në njoftim.
Të enjten në mbrëmje ka nisur qarkullimi edhe në kufirin me Maqedoninë e Veriut.
Shoferë kamionësh në Ballkanin Perëndimor bllokuan dhjetëra pika kufitare të hënën, në shenjë proteste për rregullat e reja të hyrjes të Bashkimit Evropian (BE), për të cilat thonë se kanë dëmtuar punën e tyre.
Kolona të gjata kamionësh u formuan në pikat kufitare të transportit të mallrave në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, në një veprim të koordinuar në këto katër vende. Bllokada përfshiu gjithashtu portin e Barit në Mal të Zi, në Detin Adriatik.


