Ali Berisha, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Komunës së Pejës, synon të jetë kryetar i kësaj komune pas 12 tetorit.
Ai është rikthyer pas 12 vitesh, derisa kishte qeverisur për 6 vite me këtë komunë.
Për Gazeta Blic, arsyeja e rikandidimit thotë të jetë gjendja në Pejë aspak e favorshme, e krijuar për 12 vite nga qeverisja e LDK-së.
“Pas 12 vitesh që nuk kam qenë pjesë e garës për komunën e Pejës, pas një pune të jashtëzakonshme të një ekipi të jashtëzakonshëm të një programi zgjedhor qeverisës për katër vitet e ardhshme, kemi parë të arsyeshme që t’i futemi garës për kryetar të Pejës, edhe duke e parë situatën jashtëzakonisht të pafavorshme të zhvillimeve që janë bërë në këtë komunë, sidomos tri mandatat e fundit. 12 vite e kaluara të kësaj qeverisje komunale mendoj se janë vite të humbura pasi zhvillimi në këtë komunë ka stagnuar plotësisht. Komuna e Pejës për këto vite ka humbur atë hovin e zhvillimit që e ka pasur, pasi ka qenë ndër komunat ma të pastra në Kosovë, më të zhvilluara, me biznese të favorizuara dhe të avancuara në zhvillimin e tyre, me gjelbërimin më të madh, me transparencën më të lartë të zhvillimit dhe bazuar në këtë dhe të gjitha raportet aktuale që janë, edhe të auditorëve po edhe raporte tjera, shihet se Komuna e Pejës ka ngecur në aspekt të zhvillimit. Në Pejë nuk e ke asnjë projekt të madh strategjik të zhvilluar dhe për këtë arsye ne bashkë me një ekip profesionistësh kemi vendosur të rikthehemi dhe të kandidojmë për të parin e Pejës. Plani ynë qeverisës është i detajuar, është i bazuar në buxhete edhe në atë aktual edhe në donatorë dhe besoj se do të hyjë në punë dhe do ta avancojë Komunën e Pejës për 4 vite”, ka thënë ai.
Berisha thekson se Peja aktualisht ka probleme të shumta në çdo sektor, e qytetarët janë tejet të pakënaqur me gjendjen.
“Nëse fillojmë me mobilitet në qytetin e Pejës, rrugët s’janë asnjë për t’u krenuar, asnjë të standardeve, të pajisura me trotuare, mobiliteti i varfër, për të kaluar nga një skaj në tjetrin në Pejë duhen orë, kjo e ka vështirësuar jetën e qytetarëve. Sa i përket pastërtisë, aktualisht Peja është ndër qytetet më të papastra në Kosovë, Higjiena është e mbushur me militantë dhe punojnë në administratë, ndërsa ata që kryejnë punë janë në numër të vogël dhe në kushte jashtëzakonisht të vështira. Shëndetësia është jofunksionale, ka punëtorë shumë të mira por kanë rrethana shumë të vështira. Pacientët duhet t’i blejnë vet gjërat për një shërbim shëndetësor. Arsimi është totalisht i politizuar, pothuajse një pjesë e madhe e drejtorëve të shkollave nuk kujdesen për mbarëvajtjen e procesit mësimor, më shumë shohin si t’ia bëjnë ndonjë votë kryetarit, se punën e tyre. Duke i parë të gjitha këto dhe shumë aspekte tjera, qoftë për turizëm apo bujqësi, e shohim se Komuna e Pejës ka mungesa në shumë aspekte. S’ka asnjë investim në turizëm, ndërsa në bujqësi mbështetja bëhet me favorizime politike. Gjithashtu në furnizimet me ujë, një pjesë e madhe e qytetit nuk ka ujë të pijes. I kemi 20 mijë banorë të Pejës që s’kanë fare ujë të pijes, s’e kanë të shtrirë as rrjetin. Është e pakuptimtë që për 12 vite nuk është bërë asnjë intervenim në këtë drejtim dhe besoj me ekipin tonë, në afatin 4 vjeçar, të gjitha këto probleme do të zgjidhen”, ka potencuar kandidati për kryetar të Pejës.
Berisha i AAK-së ka treguar projektet që synojnë t’i realizojnë në mandatin katërvjeçar.
“I kemi disa pika esenciale në program. Qarkullimi, mobiliteti në qytet është ndër prioritetet. Mendojmë se disa projekte do të ndikojnë që të përmirësohet mobliteti i qytetit. Bazuar në programin tonë, një investim i domosdoshëm është qarkorja e qytetit. Ne mendojmë se duke filluar ndërtimi i një rruge që nis nga palestra e sporteve dhe kalon ka pjesa e sipërme e zatrave, mandej te pjesa e spitalit, është një baypas qarkor që do të mundësojë qarkullim më të mirë për krejt banorët që vijnë nga fshatrat e komunës tonë dhe Deçanit. Ndërsa pjesa tjetër e qarkores fillon nga fabrika e tullave dhe kalon mbi gjimnaz dhe prapë te spitali. Gjithashtu duhet të investohet në tranzit sepse aktualisht është i pakalueshëm, duhet të investohet, të ndërtohet dhe do të ketë pamje dhe qarkullim tjetër”, është shprehur ai për Gazeta Blic.
Projekte tjera të rëndësishme i përmend nënkalimin, parkingun nëntokësor, zgjerimi i rrugës së spitalit e projekte të shumta në bujqësi, shëndetësi, e turizëm.
“Gjithashtu, një projekt tjetër i rëndësishëm për komunën tonë është ndërtimi i nënkalimit nga ura e gurit deri te semaforët, ku kanë qenë përpara sepse tani komuna jonë s’ka semaforë fare dhe kjo do ta mundësonte që qarkullimi të jetë shumë më i lehtë për qytetarët. Po ashtu, pretendojmë që të ndërtojmë një parking nëntokësor nga sheshi Haxhi Zeka deri te sheshi Shkëlzen Haradinaj dhe ky parking do të përfshinte afër 250 vende për parkim dhe në masë të madhe do ta lironte një pjesë të qytetit për gjelbërim dhe qarkullim. Këto janë disa prej atyre projekteve që mendojmë t’i realizojmë në të ardhmen. Një projekt tjetër është dhe zgjerimi i rrugës së spitalit, është një fyt i ngushtë ku vazhdimisht ka telashe në qarkullim dhe mendojmë se zona prej Rrokaqiellit deri te rruga e spitalit të ndërtohet me katër korsi, ku mundësohet një qarkullim më i mirë i njerëzve dhe automjeteve. Projekt urgjent që duhet të realizohet qysh në vitin e parë është ujësjellësi i Lugut të Baranit dhe investime të shumta në bujqësi dhe turizëm, bizneset e vogla dhe të mesme duhet të mbështeten, pasi aktualisht po e lëshojnë komunën tonë dhe po vendosen diku tjetër dhe projekti tjetër i rëndësishëm duhet të jetë Zona Industriale ku në atë zonë do të vendosen bizneset që nuk kanë hapësirë për bizneset e tyre dhe me këtë zonë”, ka deklaruar Ali Berisha./Gazeta Blic/


